Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi i është përgjigjur Oerd Bylykbashit, i cili tha dje se Komisioni i Reformës Zgjedhore përcaktoi votimin elektronik si prioritet të tij.
Në një reagim për mediat, Çuçi sqaron se… “deri më tani kemi miratuar një platformë mbi çështjet që ky Komision do të trajtojë, bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODHIR-it dhe probleme të tjera të zgjedhjeve në Shqipëri”.
Më tej Çuçi thotë se:- “Siç mund ta dëshmojnë edhe të 17 anëtarët e Komisionit nga të gjitha partitë parlamentare, në Komision nuk kemi arritur asnjë konkluzion e aq më pak vendim që lidhet me votimin elektronik, sepse, siç kemi rënë dakord me të gjitha palët, në Komision do të vazhdojmë të marrim vendime me konsensus pasi të kemi marrë ekspertizën më të mirë të vendit dhe ndërkombëtare”.
Reagimi i plotë i Çuçit
“Unë nuk e di se për cilin komision parlamentar e ka fjalën Oerdi kur thotë se kemi vendosur me konsensus për votimin elektronik, por në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, të cilin unë dhe Oerdi e kryesojmë, deri më tash kemi miratuar një platformë mbi çështjet që ky Komision do të trajtojë, bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODHIR-it dhe probleme të tjera të zgjedhjeve në Shqipëri.
Siç mund ta dëshmojnë edhe të 17 anëtarët e Komisionit nga të gjitha partitë parlamentare, në Komision nuk kemi arritur asnjë konkluzion e aq më pak vendim që lidhet me votimin elektronik, sepse, siç kemi rënë dakord me të gjitha palët, në Komision do të vazhdojmë të marrim vendime me konsensus pasi të kemi marrë ekspertizën më të mirë të vendit dhe ndërkombëtare.
Vetëm kështu do të bëjmë të mundur që t’ju ofrojmë shqiptarëve një proces zgjedhor, i cili përputhet me standartet dhe praktikat më të mira perëndimore. Fryma e bashkëpunimit dhe e konsensusit që kemi vendosur në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, do të vazhdojë”.