Zbulohen 70 planetë të çuditshëm në galaktikën Rruga e Qumështit. Të çuditshëm, pasi nuk rrotullohen rreth një ylli mëmë, siç ndodh zakonisht, dhe për këtë etiketohen si planetë ndëryjore apo jetime. Gjatë dekadave të fundit janë vrojtuar disa të tillë, por në zbulimin e fundit u vrojtuan 70 të tillë. Sipas shkencëtarëve është mjaft e vështirë të dallohen këta objekte, pasi nuk ndriçohen nga asnjë yll dhe nuk ushtrojnë asnjë forcë gravitacionale të rregullt mbi objekte të tjera qiellore.
Kërkimi është realizuar nga teleskopë të ndryshëm të ESO-s në observatorin australian dhe nga teleskopi hapësinor Gaia. Sipas koordinatores së punës kërkimore deri tani janë ngritur dy hipoteza mbi origjinën dhe ekzistencën e tyre.
Njëra nga teoritë konfirmon se mund të kenë qenë pjesë e sistemeve diellore dhe janë nxjerrë jashtë tyre kur ishin ende në moshë të re, kur planetët nuk ishin ende stabilizuar në orbitat e tyre. ndërsa sipas hipotezës së dytë, këta planetë janë rezultati i një kolapsi të një mjegullnaje tepër të vogël për të arritur të krijojë një yll. Aktualisht këta planetë kanë dimensione të mëdha, të krahasueshme me atë të Jupiterit, që është edhe më i madhi në sistemin tonë diellor.