Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli sot në vëmendje 21 dhjetorin e vitit 1964, datë kur ndërroi jetë françeskani At Justin Rrota.
Ai ishte i pari që solli nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit në Shqipëri më 1929-n tri riprodhime të fotografuara të librit më të hershëm të botuar në shqip, “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Angazhimi i tij i kalibruar në gjuhën dhe letrat shqipe, përfshinte studimin e gramatikës, të sintaksës, të morfologjisë dhe të historiografisë letrare.
Mësimet e para i mori në vendlindje, në Shkodër, ndërsa do të formohej për teologji në Klagenfurt të Austrisë. Meshtari do të shërbente edhe si mësimdhënës, fillimisht në Troshan dhe duke nisur nga viti 1921, në gjimnazin “Illyricum” në Shkodër.
Krahas mësimdhënies, u shqua për zell në studime. Botoi artikuj të shumtë shkencorë me pseudonimet “Iris”, “Patër Ndou” dhe “Viator”.
Shkrimet e tij u botuan së pari në revistat “Zani i Shna Ndout” dhe “Hylli i Dritës”, që u përkisnin disiplinave të gjuhësisë dhe të letërsisë. At Justini ishte një ndër botuesit e parë të teksteve për shkollat e mesme. Në vitin 1940, Instituti i Studimeve Shqiptare e zgjodhi anëtar të radhëve të tij, në cilësinë e lëvruesit të gjuhës.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell disa radhë nga studimi i Rrotës mbi gjuhën e shkruar shqipe dhe fragmente nga fjalori ortografik i përpiluar prej tij.