Për të tretin vit radhazi Atalanta siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve. Ndërkohë Lacio i tha lamtumirë këtij kompeticioni.
Tani janë tri ekipet të cilat do të luftojnë deri në sekondën e fundit për dy vende në kompeticionin më të rëndësishëm të kontinentit, Milan, Napoli dhe Juve.
Kur kanë ngelur edhe 90 minuta deri në përfundim të sezonit, situata ngelet e komplikuar. “Djalli” do të përballet me Atalantën në transfertë dhe që të mund të sigurojë kualifikimin, ka nevojë për tri pikët.
Kuqezinjtë kishin një shans shumë të mirë në përballjen ndaj Kaljarit, por lanë dy pikë me vlerë në shtëpi, duke e komplikuar situatën.
Atalanta është “macja e zezë” e Milanit, pasi që kur Stefano Pioli mori drejtimin, kurrë nuk ka arritur që ta mposhtë.
Për të mbajtur “Zonjën e Vjetër” poshtë vetes, Napoli duhet që ta fitojë përballjen ndaj Veronës në shtëpi, ndryshe situata do të komplikohet.
Momentalisht bardhezinjtë janë të pestët në renditjen e Serisë A, me 75 pikë të grumbulluara. Kualifikimi në Champions është në fije të perit.
Që të sigurojë një vend në kompeticionin më të rëndësishëm të kontinentit, Juvja duhet të mundë Bolonjën dhe të shpresojë që Milani të mos fitojë në Bergamo dhe Napoli kundër Veronës.
Por trajneri Andrea Pirlo do të ketë një javë të mbushur me stres, ku varet e ardhmja e tij. Të mërkurën, “Zonja e Vjetër” do të përballet me Atalantën në finalen e Kupës së Italisë.