Morel Kërtalli, 41 vjeç, është ekstraduar nga Spanja në Shqipëri. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Në Gusht të vitit 2017, së bashku me vëllain, Enkeli Kërtalli, i cili u ekstradua disa ditë më parë, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së biznesmenit Dashamir Gjoka.
Policia njoftoi se Morel Kërtalli u vunë në pranga nga “autoritetet policore në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 22.09.2017, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit””.
Ngjarja
Dashamir Gjoka, udhëtonte me makinë së bashku me familjen e tij, gruan dhe fëmijët, kur në hyrje të Shijakut, një automjet iu afrua dhe qëlloi me breshëri kallashnikovi. Gjoka arriti t’i shpëtonte këtij atentati falë automjetit që e kishte të blinduar. Autoritetet në atë kohë, identifikuan si autorë të kësaj ngjarjeje dy vëllezërit, Morel Kërtalli dhe Enkeli Kërtalli.
Motivi
Në atë kohë, autoritetet thanë se shkak për këtë atentat ishte bërë një konflikt i vjetër i periudhës së viteve 96-97 që Gjoka, kishte pasur me dajën e dy atentatorëve. Hetuesit dyshonin se konfliktet mes tyre kishin vijuar edhe në vazhdim, çka mendohej se solli edhe atentatin së mërkurës në mesditë të 22 Gushtit 2017.