Lokali ku mbrëmjen e së dielës u vra Prek Tonaj vijon të jetë e mbyllur. Policia ka shoqëruar rreth 10 persona që kanë qenë brenda lokalit në momentin e vrasjes ose mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe që mund të ndihmojnë në zbulimin e autorit dhe kapjen e tij.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se në bazë të dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes, autori ka hyrë i vetëm në lokal. Ai mbante një kapele në kokë dhe pasi i është afruar viktimës i cili qëndronte i vetëm në një tavolinë i ka përmendur një emër që sipas grupit hetimor mund të jetë emri në llogari të të cilit është kryer vrasja.
Pasi ka qëlluar disa herë ndaj tij me kallashnikov autori është larguar me një person tjetër i cili po e priste në hyrje të lokalit.
Policia e Shkodrës, dyshon se pista kryesore e ngjarjes është vrasja për gjakmarrje për shkak të së kaluarës së familjes së viktimës.
Me interes për zbardhjen e ngjarjes janë edhe dëshmitë e familjarëve të viktimës të cilët mund të hedhin dritë në lidhje me konfliktet e mundshme të Tonaj.
47-vjeçari, Prek Tonaj prej disa vitesh ishte përgjegjës i ujësjellës-kanalizime për zonën e Njësisë Rrethina, ndërkohë që nuk fshihej nga frika e gjakmarrjes.
Më parë viktimës i janë vrarë edhe dy vëllezër të tjerë, njëri prej tyre është ekzekutuar në Dukagjin, ndërsa tjetri është vrarë në burg.
Vetë Prek Tonaj në 2011 ka tentuar të marrë hak për vrasjen e vëllezërve, por Policia e Shkodrës parandaloi ngjarjen dhe arrestoi atë së bashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë.