Ikja e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias la disi pezull çështjet me Shqipërinë dhe në veçanti marrëveshjen e Detit.
Ministri Alternativ i Punëve të Jashtme, Jorgos Katrougalos tha në një intervistë radiofonike se Greqia do të shpallë zgjerimin në 12 milje të ujërave territoriale në detin Jon, brenda këtij viti.
“Sigurisht që mbetet në fuqi, do ta bëjmë duke filluar nga deti Jon. Do të bëhet brenda mandatit të qeverisë aktuale, deri në tetor 2019”, tha Katrougalos për radio News 24/7.
I pyetur për bisedimet me Shqipërinë, zyrtari grek deklaroi se të gjitha negociatat u ndërprenë pas ngjarjes në Bularat ku mbeti i vrarë Konstandin Kacifa.
“Përafrimi ynë me Shqipërinë kishte avancuar jashtëzakonisht shumë, në gjithë çështjet për të cilat po negociohej.
Dhe aty ku prisnim që të kishim kurorëzimin e asaj ecurie të mirë, në kremtimin e 28 tetorit, patëm ngjarjen shumë të trishtë me Kacifasin.
Që nga ai moment, për arsye që për mendimin tim, më shumë lidhen me skenën politike të brendshme, kishim ftohjen e klimës që ndërkaq besoj se është krejtësisht e riparueshme.
Përpjekja jonë është pikërisht që ta rikthejmë nivelin e negociatave aty ku ishte dhe të avancojmë për zgjidhjen përfundimtare të problemeve”, shtoi ministri.
Katrougalos, raporton Respublica, ka përsëritur edhe një herë mbështetjen e Greqisë për integrimin e Shqipërisë, por ka theksuar se veni ynë duhet të rishikojë fenomene si të kohëve të fundit, që sipas tij kanë të bëjnë me shtetëzime të pronave të minoritarëve në zonën e Himarës.