Tani Presidenti i Francës po shpëton klimën. Dhe i tregon vendin Donald Trumpit. Dhe pak shfrytëzon edhe vakumin, që sundon për momentin në Berlin, mendon Jens Thurau.
Sërish një takim i nivelit të lartë për klimën? Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e di si mund të prodhosh kryetituj të mirë gazetash. Pak javë më parë, në Bonn Konferenca e Klimës e OKB-së punoi mbi detajet e mundimshme të Marrëveshjes së Parisit për Klimën të vitit 2015, me vendime të vështira për t’u kuptuar, efekti i të cilave do të duket vetëm pas disa vitesh.
Macroni përdor në vend të kësaj përvjetorin e dytë të Marrëveshjes së Klimës të Parisit, të lëvduar kaq shumë, për ta vënë veten në krye të lëvizjes së klimës. Me një takim vetjak njëditor të nivelit të lartë me pjesëmarrës të njohur: kryeministrja britanike ishte e pranishme, shumë e gëzuar për mundësinë për të mos folur një herë për Brexitin. Princi Albert i Monakos. Bill Gates nga SHBA. Dhe nga Gjermania shkoi ministrja e Ambjentit Barbara Hendricks, por jo kancelarja.
Takim i nivelit të lartë pa Angela Merkelin
Kjo në një kohë kur Angela Merkeli konsiderohej më parë si ruajtësja e Gralit të Shenjtë për mbrojtjen ndërkombëtare të klimës. 20 vjet më parë ajo ndihmoi kur qe ministre e Ambjentit, për të pagëzuar marrëveshjen e parë për klimën, protokollin e Kiotos. Dhe që kur qeveris e ka prezantuar vazhdimisht Gjermaninë si paraprijëse në takimet e mëdha të klimës.
Tani rolin e këtij paraprijësi e luan Macroni. Që pak javë më parë ai deklaroi në Bonn së bashku me kryetarë të tjerë shtetesh braktisjen e energjisë së fituar nga qymyri. Këtë Franca e ka më të lehtë se Gjermania, sepse Franca një pjesë të madhe të energjisë e fiton nga centralet atomike. Dhe tani takimi që tërheq vëmendjen dhe që merret para së gjithash me çështje të financimit.
Kritikë e ashpër ndaj Donald Trumpit
Vëmendjen Macroni e shfrytëzoi që para konferencës, për të bërë deklarata të qarta në drejtim të Uashingtonit. Duke folur në kanalin amerikan CBS ai i përcolli “mikut të mirë, Presidentit” se marrëveshja e Parisit nuk do të rinegociohet, siç dëshiron Trumpi. Pikë. E gjithë sjellja e Trumpit në drejtim të klimës kishte qenë “shumë agresive”. Por dikur do të pendohet edhe Trumpi dhe do ta tërheqë daljen nga Marrëveshja e Parisit.
Aktualisht, Angela Merkeli mundohet në Berlin të sqarojë me socialdemokratë tepër të zhgënjyer, nëse mund ta rigjallërojë qeverinë e saj. Kohë për rol paraprijësi në çështjet e klimës këtu nuk mbetet, aq më tepër që emisionet e qymyrit sollën kritika që në konferencën e Bonnit.
Në Evropë po lëvizin disa gjëra
Që më parë shprehja e Macronit “Make our planet great again” si përgjigje ndaj “Make America great again” të Trumpit tërhoqi disi vëmendjen. Deklarata të tilla të vendosura zor se priten nga Merkeli, ky nuk është stili i saj.
Në Evropë po lëvizin disa gjëra. Të paktën përsa i përket mbrojtjes së klimës. Tema të tjera do të pasojnë…/DW