Autoritetet vendase të vendosin çfarë do bëjnë me rezultatet e 30 qershorit, thotë ekskluzivisht për DW, Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në Zgjedhjet Lokale 2019.
DW: Ambasadore Glover, si do ta përshkruani ju në tërësi, procesin elektoral për zgjedhjet lokale, që u zhvilluan të dielën më 30 qershor, e kam fjalën që nga maji kur misioni juaj mbërriti në Shqipëri dhe deri në ditën e zgjedhjeve?
Audrey Glover: Nuk ka mbaruar ende gjithë cikli i procesit zgjedhor. Jemi duke parë me shumë interes ankimimet, që janë pjesë shumë e rëndësishme e procesit zgjedhor. Jam shumë e kënaqur që në zgjedhjet e të dielës vështirë se pati ndonjë akt të rëndë dhune. Zgjedhjet u zhvilluan qetë dhe në rregull, gjë që është shumë e mirë, duke marrë në konsideratë se sa shumë dhunë ka patur në zona të ndryshme të vendit, sa të dhunshëm kanë qenë muajt e fundit. Por përderisa procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, ende nuk mund të përshkruaj atë në tërësi.
DW: Çfarë pasojash solli për votuesit bojkoti i 30 qershorit nga PD, më e madhja parti në opozitë dhe partitë e tjera opozitare, jashtë parlamentit?
Audrey Glover: Kandidatë për Kryetarë Bashkie garuan pa konkurrentë përballë. Kam folur me disa kandidatë që nuk patën kundërshtarë… ata më thane, se kjo gjë largoi disi interesin nga zgjedhjet, kur nuk ke asnjë përballë, asnjë kundër, kjo ndikon në performancën e kandidatit, sa bindës është. Në 31 bashki nga 61 nuk pati kandidatë kundërshtarë. Votuesit në këto bashki nuk patën mundësi të bëjnë zgjedhje, në kuptimin e plotë të fjalës.
DW: Pamundësoi bojkoti i opozitës pluralizmin e zgjedhjeve, tipar i zgjedhjeve demokratike?
Audrey Glover: Përcaktimi i zgjedhjeve varet nga autoritetet e këtushme, varet se çfarë kanë ndërmend të bëjnë si rezultat i kësaj situate. Ne mund të nxjerrim në pah, të tregojmë se si ishte situata, por janë autoritetet e Shqipërisë që do të vendosin se ҫfarë do të bëjnë në të ardhmen, si pasojë e bojkotit të opozitës dhe zgjedhjeve pa kundërshtarë.
DW: A prodhoi kjo situatë presion mbi votuesit? Nëse po.. ҫfarë ndikimi pati presioni tek votuesit?
Audrey Glover: Kemi të dhëna që ndaj votuesve u ushtrua presion nga të gjitha palët politike. Por është e vështirë të vlerësosh ndikimin e presionit mbi votuesit, Ka shumë akuza që Partia Demokratike u bëri presion qytetarëve që të mos votonin dhe Partia Socialiste u bëri presion që të votonin dhe… në disa raste të mos votonin. Vëzhguesit afatgjatë kanë shumë pak informacion të drejtpërdrejtë nga individë që u vunë nën presion. Ka patur pak raste, kur njerëzit që punojnë në bashki janë vënë nën presion për të mos votuar. Por ka edhe shumë raste presioni ndaj të cilave nuk janë ngritur akuza.
DW: A janë të pazakonta zgjedhjet e 30 qershorit? Kjo është hera e tretë që ju angazhoheni në misionet ndërkombëtare vëzhguese të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri?
Audrey Glover: Mospjesëmarrja e opozitës është e pazakontë. Por zgjedhjet janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Për zgjedhjet e 30 qershorit do të varet nga autoritetet e Shqipërisë se ҫfarë do të vendosin të bëjnë me rezultatet e tyre.
DW: Zgjedhjet janë të ndryshme por standardet europiane dhe ndërkombëtare për zgjedhje demokratike janë të njëjta apo jo?
Audrey Glover: Po, sigurisht. Të gjitha vendet anëtare të OSBE-së kanë nënshkruar angazhimet e tyre lidhur me standardet e zgjedhjeve demokratike. Por, është shteti, autoritetet e këtushme që do të vendosin se ҫfarë do të bëjë me zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk na takon ne të vendosim. Ne do të shkruajmë raportin dhe do të bëjmë rekomandime.
DW: Ju kuptoj, por gjetjet e misionit që ju drejtoni kanë padyshim vlerë edhe për atë sesi do të vendosin autoritetet e Shqipërisë. Pra me këtë arsyetim cili është qëndrimi juaj?
Audrey Glover: Në raportin tonë përfundimtar do të ketë vlerësime dhe opinione të paanshme për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
DW: A sollën argumenta shtesë, a vërtetuan zgjedhjet lokale të 30 qershorit, se kryerja e reformës zgjedhore në Shqipëri është e domosdoshme dhe një orë e më parë?
Audrey Glover: Kryerjen e reformës zgjedhore e kemi rekomanduar prej një kohe të gjatë. Shqipëria duhet të ketë një sistem drejtësie që të funksionojë si duhet, të ketë Gjykatën e Lartë dhe më e rëndësishme të ketë Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të jetë pjesë e rekomandimeve edhe kësaj here në raportin tonë final. Për Shqipërinë është e rëndësishme të ketë një sistem ligjor dhe gjyqësor, që funksionon si duhet.
Intervistoi: Ani Ruci