Në një postim në Instagram, Aurela Gaçe shkoi pas në kohë duke u ndalur te shtatzënia e dytë, e cila për të, qe një periudhë tepër e vështirë shëndetësore. Që në fillim të shtatzënisë, mjekët i thanë se duhet të qëndronte vetëm shtrirë. Në mbishkrimin e fotos, këngëtarja ndalet te vështirësitë me të cilat u përball, qoftë nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo emocionale. Aurela shtoi gjithashtu se ndryshe nga pjesa më e madhe, ajo nuk e ka fatin të qëndrojnë pranë vajzave, Grace dhe Abigail, sepse ndodhet në vetë-izolim duke qenë se ka udhëtuar jashtë.
Shkrimi i plotë:
“Pas në kohë, nuk kam publikuar asnjëherë foto nga ‘ditët e karantinës sime’ që zgjati gjashtë muaj e gjysmë, gjatë kohës që prisja vajzën e dytë. Fotoja e parë është gjatë kohës kur numëroja javët e fundit, teksa mundoheshim me mjekët që të arrinim të preknim muajin e nëntë. Periudha me vigona nëpër duar ishte gjashtë javore e sigurisht as ulur nuk mund të qëndroja…por periudha përpara ishte akoma më e vështirë. Mjekët më dhanë urdhër të qëndroja në shtrat në mënyrë absolute qysh kur zbuluam shtatzëninë.
Mendojeni pak, jo një ditë, jo një javë, jo një muaj. Nuk dihej sa mund të vazhdonte rreziku, kështu që isha e detyruar për shëndetin e jetën e asaj krijese që po rritej brenda meje. Vajza e madhe, Grace, donte të flinte me mua, ta merrja në krahë, të luanim siç ishim mësuar të bënim çdo ditë. Unë sigurisht nuk mundesha dhe i flisja e i tregoja se nëse mami të ngre në krahë, ose padashje ti mund të godasësh barkun nëse fle me mamin, atëherë do lëndojmë motrën ose vëllain. Ajo mundohej të kuptonte, paçka se ishte vetëm katër vjeç. Më puthte mua dhe barkun, paçka se nuk e shikonte, e dinte se po vinte një jetë e re. Ishte periudhë shumë e vështirë për të gjithë ne.
Në foton e dytë, ishte momenti që do të shkonte me gjyshen e saj në plazh në javët e verës e unë s’mundesha të isha me të as për ta përcjellë te dera e as ta puthja e përqafoja për javë të tëra, ndërkohë që mami im ishte në shërbimin tim gjatë gjithë kohës.
Gjatë kohës së rrezikut, arrita vetëm përdy muaj e pak që të ngrihesha e të kisha aktivitet, pastaj siç e shikoni në spital. Në atë kohë, as nuk postoja gjë, as i tregoja këto. A mërzitesha? A qaja? Sigurisht që po, por arsyeja pse po e kaloja këtë ‘karantinim’ ishte vetëm për jetën e re që po vinte në familjen tonë. Ju sot mund të luani brenda shtëpisë, të gatuani, të kërceni etj., etj., etj., por ka gra, të cilat s’kanë mundur edhe për 9 muaj të bëjnë asgjë nga këto, në emër të jetës.
E ndërkohë që ju vazhdoni t’i përqafoni fëmijët, unë e gjithë grupi im, as nuk mundemi t’u afrohemi fëmijëve tanë, akoma edhe dhjetë ditë pasi jemi vetë-izoluar për shkak se kemi qenë në udhëtim. Prandaj durim o miq, në emër të jetës!”