Petrit Lekaj, një shqiptar në Adelaide të Australisë, po mbahet i arrestuar nga policia si i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij, Sabrina Lekaj, pasi kishte dalë me shoqet gjatë natës.
20-vjeçarja u gjet e vrarë në makinë, ndërsa babai 49-vjeçar ishte pranë saj, i lyer me gjak dhe me plagë të lehta. Policisë iu desh të thyente xhamin e makinës që t’i nxirrte të dy.
Shoqet e saj thanë për mediat australiane se vajza kishte shprehur shqetësim se do t’i bërtiste babai kur të shkonte në shtëpi, pasi e kishte kaluar natën duke festuar me to.
Vajza njihej nga shoqet si një studente shumë e talentuar për imazheri mjekësore, dhe tepër ambicioze, me nota maksimale. Veç kësaj, ishte dhe një pianiste shumë e zonja.