Një ministër Shteti në Australi dha dorëheqjen sot, pasi u zbulua duke jetuar në shtëpinë e tij të dytë, në bregdet, megjithë ndalesat për udhëtime jothelbësore.
Policia gjobiti gjithashtu me mijëra dollarë qindra shoferë për shkeljen e ligjeve të bllokimit në ditën e parë të fundjavës së Pashkëve.
Ministri i Arteve i Uellsit të Ri të Jugut, Don Harwin njoftoi sot se kishte dhënë dorëheqjen pasi mediat e fotografuan atë duke blerë veshje dhe duke jetuar në shtëpinë e tij në bregdet, në vend se të qëndronte në apartamentin e qytetit të tij, një shkelje e rregullave të bllokimit.
Kryeministri Scott Morrison u kishte kërkuar të gjithë australianëve të qëndronin në shtëpi dhe të mos udhëtonin në shtëpitë e pushimeve, në një përpjekje të përbashkët për të frenuar përhapjen e Covid-19.
Sot në mëngjes policia gjobiti 1 000 dollarë Harwin (634 dollarë amerikanë) për shkelje të rendit shëndetësor publik, por nën presionin politik, ai dha edhe dorëheqjen.
“Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa puna e qeverisë në luftën kundër koronavirusit”, tha Harwin.
“Unë nuk do të lejoj që rrethanat e mia të jenë një shpërqendrim nga ajo punë dhe jam shumë i keqardhur që rregullimet e mia të banesës në bregdet, janë bërë një çështje gjatë gjithë kësaj kohe”, theksoi ai.
Australianët janë të ndaluar të lënë shtëpitë e tyre për fundjavën e festave të Pashkëve, përveçse për arsye thelbësore të tilla si blerja e ushqimeve.
Policia mund ta gjobisë këdo jashtë, pa ndonjë arsye të vlefshme.
Policia e Kuinslendit tha se kishte gjobitur një shofer 24 000 për dalje jothelbësore nga shtëpia.
Numri i vdekjeve në Australi nga Covid-19 u rrit sot në 54.