Qeveria australiane anuloi për herë të dytë vizën për yllin e tenisit, Novak Gjokoviç, por procesi nuk ka marrë ende fund.
Australia i ka anuluar vizën tenistit serb, Novak Djokoviç për të dytën herë. Vendimi i ministrit për Migrim të Australisë, Alex Hawke nënkupton se tani Djokoviç përballet me dëbim nga shteti.
Tenisti 34-vjeçar ende mund të apelojë vendimin për të qëndruar në Australi.
Tenisti numër një në botë në kategorinë e meshkujve ishte paraparë që të luante në turneun Australian Open, që nis të hënën.
“Sot ushtrova të drejtën time për të anuluar vizën e Novak Djokoviçit duke u thirrur në arsye shëndetësore, pasi ishte në interes të publikut që të veproja kështu”, tha ministri përmes një deklarate.
Ky vendim gjithashtu nënkupton se Djokoviç mund të përballet me një ndalesë trevjeçare për marrjen e vizës së re australiane, edhe pse një ndalesë e tillë mund të hiqet.
Vendimi i autoriteteve australiane u la të kuptohej të enjten nga një deklaratë e zëvendëskryeministrit të vendit, Barnaby Joyce. “Shumica e australianëve nuk ka simpati për idenë që një individ tjetër, qoftë lojtar tenisi, qoftë mbreti i Spanjës, apo mbretëresha e Anglisë mund të hyjë në vend përmes rregullave të tjera ndryshe nga çdokush tjetër.” Kryeministri australian, Scot Morrison në një deklaratë publike u shpreh, se vendimi u mor në interes të rendit publik, por për shkak të implikimeve juridike, ai nuk do të deklarohet më tej.
Fillimisht atij i ishte anuluar viza pasi arriti në Melbërn më 6 janar. Autoritetet kufitare gjetën se ai kishte “dështuar që të ofronte të dhëna të duhura” për një përjashtim mjekësor, që i mundësonte t’i shmangej rregullave për koronavirus.
Në Australi ka pasur zemërim të madh të publikut, pasi ky shtet ka pasur disa nga rregullat më strikte kundër pandemisë.
Djokoviç ishte ndaluar dhe kishte qëndruar për disa orë në aeroport ku kishte kaluar në kontrollet e migracionit. Më pas ai qëndroi disa ditë në një hotel të shndërruar në qendër për emigrantë.
Disa ditë më vonë, një gjykatës hodhi poshtë vendimin e autoriteteve për anulimin e vizës dhe urdhëroi lirimin e tij, duke thënë në vendim se zyrtarët kufitarë kishin injoruar procedurat gjatë arritjes së tij në Australi.
Vendimi për anulimin e vizës vjen pasi Djokoviç foli për pretendimet se ai kishte bërë deklarime të rreme në formularin e udhëtimit – ku thuhej se ai nuk kishte udhëtuar në ndonjë shtet tjetër 14 ditë para se të arrinte në Australi. Në fakt, tenisti serb, në atë periudhë kishte udhëtuar për në Spanjë.
Ai tha se ky ishte një gabim i bërë nga agjenti e tij dhe e quajti “gabim njerëzor”, duke shtuar se nuk ishte i qëllimshëm.
Djokoviç po ashtu e ka pranuar se është takuar me një gazetar dhe ka bërë sesion fotografish pasi kishte dalë pozitiv në COVID-19.