Aktualitet Austria dhe Franca bëjnë të detyrueshme mbajtjen e maskave kirurgjike

Austria dhe Franca bëjnë të detyrueshme mbajtjen e maskave kirurgjike

Austria e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës kirurgjike në dyqane dhe transportin publik, në kuadër të masave më të fundit për parandalimin e koronavirusit. Maskat e llojit mjekësor, të njohura ndryshe si FFP2 thuhet se ofrojnë një izolim më të mirë dhe filtrojnë më mirë se maskat e tjera grimcat.

“Mendoj se kjo është një masë që duhej marrë prej kohësh. E di që kërkon kohë për t’u përgatitur, por përfundimisht mendoj se është ide e mirë”, shprehet një grua.

“Kjo masë duhet të kishte hyrë në fuqi më parë, pas bllokadës së dytë ose të parës nëse vërtet ndihmon kaq. Ky është mendimi im. Aktualisht me zor marr frymë dhe kjo është bezdisëse. Por s’kemi ç’bëjmë, duhet ta mbajmë”, shprehet një qytetare.

Ndërkohë, një masë e ngjashme ka hyrë në fuqi në Francë, që ndalon maskat e prodhuara në mënyrë artizanale dhe lejon vetëm ato kirurgjike.

Javën e kaluar, rajoni i Bavarisë në Gjermani e bëri mbajtjen e maskave të llojit FFP2 të detyrueshme në transportin publik. Lëvizja e autoriteteve vjen teksa kuotat e infeksionit nga coronavirusi mbeten të larta në mbarë Evropën.