Austria ndërmerr masa radikale kundër koronavirusit. Nga 1 Shkurti i vitit të ardhshëm, vaksinimi do të bëhet i detyrueshëm për gjithë popullsinë, sipas moshave për të cilat do të ofrohet vaksinimi deri atëherë.
Austria bëhet i pari vend në Europë dhe ndër të paktit deri më tani në botë krahas Kazakistanit e Turkmenistanit, që e bën të detyrueshëm vaksinimin për popullsinë.
Po ashtu, nga e hëna rikthehet karantina e plotë për të gjithë popullsinë, jo vetëm për të pavaksinuarit. Kancelari Aleksander Shalenberg tha se bllokada e plotë do të jetë në fuqi për 20 ditë.
Më pas masa e ashpër do të vazhdojë vetëm për të pavaksinuarit. Me tone të ashpra, ai kritikoi njerëzit që u besojnë lajmeve të rreme, që sipas tij po i bëjnë atentat sistemit shëndetësor vendas, duke i nxitur qytetarët të refuzojnë vaksinimin.
Masat shtrënguese duket se po rikthehen në shumë vende të Europës Perëndimore. Kryeministri sllovak shpalli një izolim për të pavaksinuarit nga e hëna, ndërsa qeveria çeke do të limitojë aksesin në disa aktivitete.
Edhe liderët gjermanë ranë dakord për të vendosur masa ndaluese në rajonet ku shtrimet nga Covid në spitale janë shumë të larta.
I gjithë kontinenti po përballet me shifra alarmante infektimesh, më të lartat në gjithë periudhën e pandemisë. Vdekjet janë të larta në vendet ku vaksinimi popullsisë është në nivele të ulta.