Vendimi i Austrisë për të izoluar personat e pa vaksinuar kundërshtohet fort nga ata të cilët nuk e përkrahin këtë politikë.
Me qindra qytetarë protestuan pak orë para mesnatës të së dielës, para se të hynte në fuqi dekreti qeveritar.
Masat e reja kufizuese ndalojnë personat e pa vaksinuar mbi 12 vjeç që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ata mund të dalin vetëm për aktivitetet bazike, të shkojnë në punë, të kryejnë blerje të domosdoshme, të ecin ose të shkojnë të vaksinohen.
Autoritetet janë të shqetësuar për rritjen e viktimave dhe spitalet nuk do të mund të përballojnë shtimin e pacientëve me covid-19.
“Jam këtu sot sepse dua të luftoj për të drejtat e mia, këto masa janë absolutisht diskriminuese, duke nisur nga detyrimi që punonjësit shëndetësor të vaksinohen, cili grup e ka radhën tani të detyrohet?”, tha një qytetare.
“Kjo tregon një mashtrim të madh, ka kaq shumë probleme në Austri, me qeverinë, dhe kjo është vetëm për të shpërqendruar njerëzit që të mos zgjohen nga gjumi”, tha një tjetër.
Në fundjavë, bllokimi shkaktoi një nxitim për të marrë një vaksinë anti-COVID-19.
Austria ka një nga nivelet më të ulëta të vaksinimit në Evropën Perëndimore, me rreth 65 për qind të popullsisë totale të vaksinuar plotësisht.
Masat kundër të pa vaksinuarve fillimisht do të zgjasin 10 ditë. Personat e pa vaksinuar mund të gjobiten deri në 1,450 euro nëse shkelin kufizimet.
Këto hapa janë miratuar nga qeveria federale dhe ajo shtetërore, por kancelari Alexander Schallenberg tha se landet janë të lira të zbatojnë rregulla edhe më të rrepta.
Rreth 65 për qind e popullsisë në Austri është aktualisht e vaksinuar.