Bota Kufizimet vetëm për të pavaksinuarit? Gjermania mund të ndjekë shembullin e Austrisë

Kufizimet vetëm për të pavaksinuarit? Gjermania mund të ndjekë shembullin e Austrisë

Në Gjermani është hapur debati për mundësinë e kufizimeve vetëm për personat e pavaksinuar. Kjo masë ka hyrë në fuqi në Austri.

Për shkak të numrit të lartë të infeksioneve me Covid, në Gjermani po shqyrtohet mundësia e kufizimeve vetëm për personat e pavaksinuar. Kufizimet e kontakteve për njerëzit, që nuk janë vaksinuar janë “absolutisht të nevojshme”, tha zëvendësshefi i grupit parlamentar të Të Gjelbërve në Bundestag, Oliver Krischer për televizionin ZDF. Pjesa e vaksinuar e popullsisë duhet të vazhdojë të jetë në gjendje të marrë pjesë në jetën publike. “Aty ku është e nevojshme”, masat ndaj qytetarëve të pavaksinuar janë të përshtatshme. Kjo do të vendoset në nivelin rajonal, në varësi të gjendjes me infektimet.

Propozimet ligjore

Partitë e koalicionit të mundshëm qeveritar SPD, Të Gjelbrit dhe FDP, kanë ndryshuar së fundmi planet e tyre në luftën kundër pandemisë. Me 25 nëntor duhet të përfundojë “gjendja epidemiologjike” në nivel federate, por nuk do të përfundojë mundësia e vendosjes së kufizimeve. Kryetari i Të Gjelbërve, Robert Habeck tha në ARD: “Kufizimi i kontaktit ose aplikimi i rregullave 2G (vaksinuar apo shëruar) do të thotë në pjesë të madhe  – bllokim për njerëzit e pavaksinuar.

Sipas një marrëveshjeje të këtyre partive, që cilën e ka disponuar edhe agjencia e lajmeve DPA, vetëm ata që janë vaksinuar apo shëruar në gjashtë muajt e fundit, si dhe ata që kanë një test negativ, duhet të lejohen të përdorin autobusë dhe trena. Rregulli 3G (vaksinuar, shëruar apo testuar) duhet të zbatohet edhe në vendin e punës.

Sipas këtij dokumenti, landet mund të ndalojnë aktivitetet e kohës së lirë, aktivitetet kulturore dhe sportive, si dhe tubimet. Mund të mbyllin edhe universitetet dhe të ndalojnë hyrjen në objektet shëndetësore. Por ky dokument ende nuk është miratuar. Të gjitha këto masa parashikohen të zbatohen deri në mars 2022, e më pas mund të zgjaten për tre muaj. Ndryshim i ligjit për mbrojtjen ndaj infeksioneve do të paraqitet në Bundestag për miratim ditën e enjte.

Shumë ekspertë thonë, se edhe njerëzit e vaksinuar mund të përhapin pandeminë.

Virologu i Bonit Hendrik Streeck shpjegoi: “Do të ishte gabim të besohet se të vaksinuarit nuk mund të infektohen dhe nuk mund t’ia kalojnë virusin të tjerëve, nëse ata nuk e kanë marrë vaksinën e tretë”. Ai thotë se nuk mund të flitet vetëm për një pandemi të personave të pavaksinuar. Të gjithë njerëzit janë pjesë e kësaj pandemie. Ndaj kufizimet nuk do të mund të anashkalohen, “në një mënyrë të caktuar”.

Me fjalë të ngjashme është shprehur së fundi edhe kolegu i tij Christian Drosten nga Charité e Berlinit. “Ne kemi një pandemi ku të gjithë kontribuojnë – përfshirë edhe të vaksinuarit, ndonëse ata më pak”, tha ai për “Die Zeit”. Varianti Delta “për fat të keq ka vetinë e përhapjes pavarësisht vaksinimit”. Megjithatë, sipas shifrave të Shoqatës Gjermane për Imunologji, rreziku i përfundimit në spital me një infeksion Corona është shtatë herë më i lartë për personat e pavaksinuar mbi moshën 60 vjeç, sesa pas dy vaksinimeve.