Nga Lorenzo Cremonesi, i dërguari i Corriere della Sera në Kiev
Autokolona prej dhjetëra kilometrash që për ditë të qëndroi e ndaluar gjatë rrugës për në Kiev tani është ripozicionuar nëpër pyje. Sipas analistëve ushtarakë, artileria është vendosur në pozicione goditëse.
Për ditë të tëra, autokolona qëndroi e palëvizur gjatë rrugës. Kilometra dhe kilometra të pushtuar nga mjetet ushtarake ruse: një kolonë që i afrohej si kërcënim kryeqytetit ukrainas. Por tani ajo është duke u shtrirë nëpër pyje dhe qytezat afër Kievit dhe formuar rigrupime të reja në veriperëndim të qytetit.
Sipas ekspertëve ushtarakë të Associated Press bëhet fjalë për një “shenjë shumë të keqe”. Autokolona – konfirmoi Britania e Madhe – po ripozicionohet për një sulm që mund të nisë në ditët në vijim. Disa njësi të blinduara janë parë pranë aeroportit Antonov në veri të qytetit, ndërsa mjete të tjera janë spostuar në pyje me artileri të pozicionuara gati për të hapur zjarr.
Pra, trupat ruse po ripozicionohen me artileritë vetëlëvizëse dhe mortajat: kjo do të thotë se plani rus po vazhdon, ngadalë, por në mënyrë të pashmangshme -Kharkiv është i rrethuar, Dnipro nën sulm, lëvizet drejt Perëndimit.
Bombardimi i Kievit është gjithnjë e më real, gjithnjë e më i mundshëm: Putin nuk do të ketë mëshirë për këtë qytet.
Kolona ruse ndaloi jashtë qytetit javën e kaluar, avancimi i saj dukej sikur ngadalësua, ndërsa qarkulluan zërat për mungesë ushqimi dhe karburanti.
Sipas ministrisë së Mbrojtjes të Londrës, “forcat tokësore ruse vazhdojnë të përparojnë ngadalë për shkak të problemeve të vazhdueshme logjistike dhe rezistencës së fortë ukrainase”.
Amerikanët flasin për dy javë për të kompletuar rrethimin dhe më shumë së gjashtë javë për të marrë qytetin.
Zyrtarët amerikanë kanë konfirmuar se edhe trupat ukrainase kanë marrë në shënjestër autokolonën me raketa antitank.
Ditën e djeshme, burimet amerikane konfirmuan rrethimin progresiv të kryeqytetit: ushtria e Moskës ka përparuar rreth 5 kilometra në 24 orët e fundit dhe disa njësi janë tani vetëm 15 kilometra nga qyteti.
Dhe gjithë i kësaj i shtohen edhe diskutimet mjaft shqetësuese mbi armët kimike: Moska akuzon Kievin se i ka ndërtuar dhe se ka marrë ndihma dhe mbështetje nga Perëndimi; Shtetet e Bashkuara thonë se këto akuza nuk janë tjetër, vetëm se deklarata për të përgatitur terrenin për sulmet ruse me armë të tilla, siç ndodhi edhe në Siri, pikërisht me bekimin e Moskës.