Autoriteti i Aviacionit Civil (ACA) ka njoftuar se Autoriteti Italian i Aviacionit Civil (ENAC), ka nxjerrë aktin e pezullimit të licencës së kompanisë ajrore “Ernest”.
Pezullimi do të hyj në fuqi më 13 Janar 2020, me qëllim e vetëm që t’i jap kohë kompanisë për të informuar pasagjerët për anulimin e fluturimeve apo për t’i mbrojtur ata që e kanë prerë një biletë udhëtimi.
Për motivacionin për pezullimin e kontratës, Aviacioni Civil Italian shpjegon se kjo kompani fluturimesh vononte fluturimet për pasagjerët si dhe ngatërronte destinacionin e tyre pa i dhënë në këmbim asnjë lloj dëmshpërblimi financiar dhe pa garantuar mbërritjet e tyre në destinacionin e prenotuar. Kjo ka bërë që qytetarë të shumtë të mbeten në aeroporte për ditë të tëra, duke humbur prenotimet, por edhe takime të rëndësishme pune.
Sipas vendimit të ENAC, edhe pse licenca e kompanisë mbetet në fuqi deri më 13 janar 2020, duke marrë parasysh festat në Shqipëri dhe Ukrainë, “Ernest” nuk do mund të nxjerrë më bileta në shitje. ENAC gjithashtu vlerëson se lejimi i licencës deri në 13 Janar nuk rrezikon sigurinë në operim të kompanisë.
Gjatë kësaj kohe, nëse transportuesi siguron elementët e garancisë të kërkuara nga Rregullorja (KE) nr. 1008/2008, që përmban rregulla të përbashkëta për ofrimin e shërbimeve ajrore në Komunitetin Evropian dhe këto elementë vlerësohen në mënyrë të favorshme nga ENAC, masa e pezullimit mund të revokohet.
Nga ana e tij, Autoriteti i Avicionit Civil Shqiptar ka vendosur menjëherë kontaktin me autoritetin italian, për të marrë më shumë informacion për situatën e krijuar dhe për planin e kompanisë për mbrojtjen e pasagjerëve që mund të preken.
AAC i bën apel të gjithë qytetarëve që mund të kenë prerë bileta me këtë kompani ajrore, që të konfirmojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë ose agjencinë e biletës para ditës së fluturimit.