Të shumtë janë të rinjtë turiste, që i shikon në qytetin e Vlorës teksa kërkojnë të hipin në makina të rastit, për të vazhduar udhëtimin e tyre nëpër Shqipëri.
Në stacionin e autobusëve një çift austriak pret të shkojë në Borsh. Kanë tre javë në Shqipëri dhe po shëtisin në mënyrën më të lirë në bregdetin e jugut.
Çfarë do te hanë, ku do të qëndrojnë, çfarë do të vizitojnë i gjejnë me anë të aplikacioneve si google map.
“Është mënyra më e mirë e udhëtimit. E organizon vete me internet. Dhe është e lirë”, u shpreh Danieli nga Austria.
Tre të rinj francezë ndajnë experiencën e tyre të udhëtimit falas me autostop. Ata vijnë nga Monpelie e Francës. Nga Bullgaria ku mbërritën me avion ata tregojnë se kanë udhëtuar falas nëpër Turqi, Maqedoni e Veriut dhe prej katër ditësh në disa qytete shqiptare. Deri tani thonë se kanë shpenzuar vetëm 200 euro.
“Është e lodhshme sepse zakonisht duhet të shkosh në periferi të qytetit. Autostop nuk bëhet në qendër”, u shpreh një francez.
Natën e kalojnë në çadra pranë vendeve ku ka gjelbërim ,ushqehen me fast-food dhe u pëlqen byreku.
E bëjmë këtë për të kursyer para. Kemi shijuar shumë ushqime. Hamë nëpër restorante, por hamë edhe në fast-food dhe byrek”, u shpreh një tjetër francez.
Autostopi është më i lehtë për vajzat e megjithatë thonë se në Shqipëri njerëzit janë shumë bujarë. Ky lloj udhëtimi është i lodhshëm, pasi duhet të gjesh vendet e duhura për autostop, por kur ke pasion bëhet me e lehtë.