Kulturë Avni Alcani: Sami Leka, ky mjeshtër i madh i përkthimit shqip

Avni Alcani: Sami Leka, ky mjeshtër i madh i përkthimit shqip

Avni Alcani

Në datën 5 qershor 2023 u zhvillua në qytetin e Librazhdit ceremonia e vendosjes së emrit “Sami Leka”, bibliotekës së qytetit të Librazhdit. Më poshtë fjala përshëndetëse e Avni Alcanit që ishte edhe iniciatori i propozimit.

Nga Avni Alcani

I nderuar z. Kastriot Gurra, kryetar në detyrë i Bashkisë së Librazhdit!

Të nderuar familjarë të z. Sami Leka të pranishëm në ketë ceremoni inaugurimi!

Të nderuar pjesëmarrës dhe bashkëqytetarë të Librazhdit!

Sot jemi mbledhur për t’i vendosur bibliotekës së qytetit të Librazhdit emrin e përkthyesit të shquar librazhdas: “Sami Leka”. Si një nga biografët e tij, unë sot kam nderin dhe privilegjin që të flas në këtë ceremoni për zotin Sami Leka, të njërit prej përkthyesive më të njohur të letërsisë shqiptare, i konsideruar “Mjeshtër i Madh i përkthimit shqip” dhe “Themelues i traditës së përkthimit të literaturës filozofike” në Shqipëri.

Sami Leka lindi më 12 prill 1922 në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit, në një familje me emër dhe të njohur për traditat patriotike. Mësimet e para i filloi në Internatin e Bërzeshtës dhe i vijoi më tej në Liceun francez të Korçës. Nga kjo shkollë patën dalë studiues, shkrimtarë dhe personalitete të njohura të kulturës shqiptare, siç janë akademikët Mahir Domi, Selman Riza, Nonda Bulka, Dhimitër S. Shuteriqi, Zija Xholi, Stefanaq Pollo etj. të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën, shkëncën dhe arsimin shqiptar.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Sami Leka në vitin 1942 i ndërpret studimet në Liceun e Korçës, për t’u përfshirë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai kthehet në vendlindje dhe u radhit në Çetën partizane të Bërzeshtës, e cila kishte komandant babain e tij, Lutfi Leka. Në vitin 1943, në moshën 21 vjeçare, ai emërohet komandanti i Batalionit partizan të Bërzeshtës, detyrë të cilën ai e mbajti deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 1945 shkoi për studime në ish Bashkimin Sovjetik, por, për shkak të sëmundjes së rëndë që e kishte marrë nga lufta, në vitin 1948 detyrohet që t’i ndërpresë ato dhe të kthehet në Atdhe, për t’u marrë me punë të ndryshme administrative.

Sami Leka ishte i pajisur me një kulturë të gjërë dhe me një talent të jashtëzakonshëm për përvetësimin e gjuhëve të huaja. Ai zotëronte shtatë të tilla, si: latinisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rusisht, serbokroatisht dhe rumanisht, të cilat ai i vuri në shërbim të kulturës shqiptare në përgjithësi, si dhe të përkthimit të veprave letrare në veçanti. Akademiku Zija Xholi, një nga miqtë dhe bashkënxënësit në Liceun e Korçës, shkruan “se qysh në moshën e tij të re ai (Samiu) provoi se kishte një talent për gjuhët, dinte të çmonte gjuhën dhe të orientohej në gjuhë, siç ishte dhe gjuha frënge. Këtë talent ai e tregoi më vonë edhe si përkthyes edhe si intelektual…”.

Fillimet e punës së tij si përkthyes i përkasin vitit 1952, ku punonte në gazetën “Zëri i Popullit”, në redaksinë e përkthimit. Në vitin 1955 krijohet Instituti i historisë dhe S. Leka kalon në sektorin e përkthimit e të hartimit të veprave filozofike. Në vitin 1965 ky sektor u transferua pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” dhe pas vitit 1973 në shtëpinë botuese “8 nëntori”. Pranë kësaj redaksie ishin grumbulluar përkthyesit më të talentuar, më të aftë dhe më me përvojë në fushën e përkthimit.

Sami Leka kishte një përgatitje të gjithanshme kulturore dhe gjuhësore. Ai ishte një njohës i mirë si i gjuhëve të huaja, por edhe i gjuhës amtare shqipe, dy elemente këto shumë të rëndësishme që duhej t’i zotërojë një përkthyes profesionist. Samiu kishte krijuar një stil të rrjedhshëm, të veçantë e të hijshëm, që shquhej për koloritin, frazeologjinë dhe fjalorin shumë të pasur. Përkthimet e S. Lekës janë kryesisht në fushën e filozofisë, të ekonomisë politike dhe më pak në letërsinë artistike. Puna e përkthyesit të veprave filozofike në ato vite ishin të vështira, delikate dhe me shumë përgjegjësi. Përgjegjësia kishte të bënte me përkthimin korrekt dhe pa devijime, apo interpretime, të materialit filozofik, pasi ky material do të kalonte nëpër shumë e shumë “filtra” të zyrave të atëhershme të ish k. q. të P.P.SH e të Institutit të Studimeve M-L.

Kulmin e tij si përkthyes i letërsisë filozofike ka qenë përkthimi i veprës “Kapitali” i Karl Marksit, që është cilësuar si një nga veprat më të shquara të filozofisë botërore, i cili edhe sot, pas më shumë se 150 vjetësh nga botimi i tij, studiohet në të gjitha universitetet e botës. Përkthimi i “Kapitalit” nga S. Leka është vlerësuar nga kolegët e tij si “monumenti më i shkëlqyer që ky mjeshtër i madh i përkthimit i ka ngritur vetes… Ai përkthim në shqip, shkruan Rexhep Hida, është i barabartë me përkthimet më të mira botërore”. Përkthyesit e kësaj vepre në botë kanë qenë personalitete në vendet e tyre, siç kanë qenë, psh, Zhozef Rua, i cili ka përkthyer “Kapitalin” në Francë që në gjallje të autorit dhe ishte cilësuar nga Marksi si origjinali i dytë. Në Itali “Kapitali” është përkthyer nga Palmiro Toliati, në B.R.S.S. Plehanovi, në Jugosllavi Mozhe Pijado etj.

S. Leka tregoi një vendosmëri të jashtëzakonshme profesionale, duke krijuar terma të reja, siç ishte, p.sh, krijimi i termës “mbivlerë” (TVSH-ja sot). Ai krijoi me mijëra terma të reja dhe kjo gjë solli një risi dhe një traditë të re të përkthimit të veprave të letërsisë filozofike në Shqipëri.

Me gjithë punën e madhe voluminoze që Sami Leka dhe kolegët e tij zhvilluan prej gati 30 vjetësh, për fat të keq ai dhe shokët e tij mbetën anonimë, pasi në asnjë vepër të përkthyer prej tyre nuk u vendos emri i përkthyesit. Veprat e filozofëve botoheshin me vendim të ish-KQ të PPSH., që e kishin vendosur me ligj të mos u vihej emri i përkthyesit në kopertinën e librit. Ky ishte një vendim absurd dhe një shkelje flagrante e të drejtës së autorit dhe nga ky absurditet bëri që të humbasin emrat e shumë përkthyesve të shquar, siç ishin Sami Leka, Sergei Sherko, Mina Qirici, Meseret Kumbaro, Rexhep Hida etj.

Sami Leka numëron mbi 100 vepra të përkthyera prej tij në gjuhën shqipe, si: “Kapitali”, “Ideologjia gjermane”, “Lufta civile në Francë”, “Lufta e klasave në Francë”, “Mari dhe Pier Kyri” etj. Në vitet e fundit të jetës S. Leka kishte ndjerë lodhje dhe stres nga puna e përkthimit dhe kishte hartuar plane për të përkthyer vepra të letërsisë artistike, por sëmundja e tij e rëndë bëri që, më 13 maj 1979, t’i pushojë së rrahuri zemra në moshën 57-vjeçare.

Vendosja sot e emrit “Sami Leka” bibliotekës së qytetit të Librazhdit, këtij tempulli të dijes dhe kulturës në qytetin tonë, është një nder që i bëhet figurës dhe kujtimit të S. Lekës, por dhe një nder i madh për qytetin e Librazhdit, që di të vlerësojë dhe të ruajë në memorjen e tij personalitetet nga më të shquara të trevave tona.

Faleminderit!