Politika Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës mblidhen më 14 qershor në Gjakovë, Kurti...

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës mblidhen më 14 qershor në Gjakovë, Kurti tregon marrëveshjet që do të nënshkruhen

Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët (e nënta) më 14 qershor. Këtë e konfirmoi kryeministri Albin Kurti gjatë mbledhjes së kabinetit të tij, duke thënë se mbledhja do të mbahet në Gjakovë.

“Do të jetë mbledhja e nëntë e përbashkët e Qeverisë sonë dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. E treta në më pak se dy vjet. Në mbledhjet e deritanishme kemi nënshkruar 41 marrëveshje bilaterale, ndërministrore dhe ndërinstitucionale. 39 nga to kanë gjetur zbatim të plotë, e dy tjerat janë në fazën finale të zbatimit”, tha Kurti.

Kurti tha se në mbledhjen e radhës do të nënshkruhen marrëveshje në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe mbrojtjes. “Ndër to që vlen të përmendet është ajo për njohjen e ndërsjellë të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të ndërmjetësit në Zgjedhjen e Mosmarrëveshjeve. Përmes saj do të mundësohet ushtrimi i këtyre profesioneve në të njëjta kushte në të dy vendet duke garantuar edhe interesin më të mirë të vetë qytetarëve”, shtoi Kurti.

Ai bëri të ditur se në këtë mbledhje do të propozohet marrëveshja për lehtësimin e procedurave të kontrollit të produkteve me origjinë jo shtazore, në mënyrë që importi, transiti dhe eksporti i ushqimeve me origjinë jo shtazore, të mund të realizohet në Pikën e Inspektimit Kufitar ose në doganën më të afërt të vendit të destinacionit.

“Mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive, nuk na bëjnë bashkë vetëm për një ditë, ato na afrojnë për herë e më shumë si shoqëri, si popull. Kësaj radhe Gjakova do të na bashkojë. Marrëveshjet që do të nënshkruajmë, do të na afrojnë edhe më shumë”, përfundoi Kurti.