Avokati i Saimir Tahirit, Artan Hajdari, e quan të pabazuar në ligj kërkesën e prokurorisë për autorizimin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm.
“Një hetim për të cilën palës italiane iu deshën 4 vjet deri në sekuestrimin e drogës, këtu brenda 48 orësh vjen autorizimi për arrestimin e një deputeti. Hetimet janë bërë me shpejtësi. Këto gjëra nuk bëhen fshatçe, por sipas ligjit. Nuk ka asnjë implikim të Tahirit në veprimtari kriminale. Deputeti është i lirë të hetohet me imunitet”, deklaroi Hajdari.
Sa i takon prokurorisë avokati i Tahirit tha se “kërkesa është e shpejtë, e paargumentuar dhe e pasinqertë. Kërkesa duhej të shoqërohej me prova”
Avokati Artan Hajdari: “Nuk duhet të abuzohet me çështjen e sekretit hetimor. Ato janë të përcaktuara në mënyrë të saktë në kodin e procedurës penale. Unë si mbrojtës kam të drejtë për të mbrojtur të drejtat e personit nën hetim, të kërkoj që të më vihen materialet në dispozicion. Në lidhje me parashtrimin do të doja që të ndalesha në disa momente kryesore. Kërkesa e organit të prokurorisë është e pabazuar në ligj dhe në prova.
Kërkesa që i drejtohet Kuvendit për lejimin e arrestit ka një kontekst të ri në raport me ndryshimet kushtetuese. Çështja e imunitetit nuk është më ajo e mëparshmja. Prokuroria është e detyruar, duhet shoqëruar me prova, kjo kërkesë nuk ka pasur asnjë provë nga ajo që përmendet në kërkesë. Pavarësisht se nuk i përmban Kushtetutës e ligjit, në citimin e provave është shumë evidente, që këto prova jo vetëm nuk duhet të merren në konsideratë, por nuk përbëjnë asnjë të dhënë. Ky hetim për këtë moment, për aq sa ka filluar, nuk ka asnjë garanci të parashikuara nga dispozitat kushtetuese. Dy prova ka përmendur prokuroria, një akt juridik, kontrata e shitjes, mes deputetit dhe një personi.
Kjo është një marrëdhënie juridike që nuk ka vlerë në këtë proces. Edhe fakti që makina është përdorur nga personat, ra jo vetëm si indicie jo më si një provë. Sistemi TIMS nuk tregon që personi në fjalë ka udhëtuar me personat në fjalë. Do të thotë se në datat që përmenden, ajo që thuhet nuk është e vërtetë. Uroj që kjo të jetë kështu dhe të jetë kështu se s’ka si të jetë tjetër. Nuk mund të vihet me një kërkesë për arrestim, pa përmendur dyshim konkret dhe jo bindjen Kjo do të thotë se deputeti duhet të përmendet vetëm kur ky këshill të bindet në provat dhe nëse kjo garanci nuk gjykohet në këtë sallë, atëherë çdo të thotë për dikë që do të jetë përpara një organi gjyqësor, i cili abuzon me kërkesa që kanë të bëjnë me persona të tjerë, jo me deputetin Tahiri.
Të gjitha materialet që kemi pasur nga media kemi lexuar dhe përkthyer fjalë për fjalë. Nuk ka asnjë implikim qoftë edhe të vetëm të Tahirit që tregon lidhje direkte, indirekte, periferike apo aksidentale, apo dyshime që mund të krijojnë bindje të organit, apo dyshime të organit në lidhje me veprimtarinë e atij grupi kriminal. Është për të ardhur keq që për një grup kriminal që ka nisur në vitin 2016, bëhet në mënyrë kaq urgjente një regjistrim dhe vihet për më pak se 48 orë në Parlament dhe seanca të ndahet në dy momente, publike dhe jo publike, sepse nuk ka asnjë provë në sensin procedurial. Deputeti është i lirë të hetohet, kjo është garancia e vetme dhe e fundit që duhet t’i shërbeje historisë dhe drejtësisë.”