Avokati Sokol Mëngjesi i cili prej së mërkurës ndodhej nën kujdesin intensiv të mjekëve në Spitalin e Traumës për shkak të dëmtimeve është transportuar me avion sanitar drejt Athinës.
Ai do të vazhdojë të marrë ndihmën mjekësore në kryeqytetin e Greqisë.
Pas 6 ditësh në intubim, mjekët e Spitalit të Traumës kanë vërejtur sot një përmirësim të gjendjes shëndetësore të tij. Referuar të dhënave që vijnë nga spitali, mësohet se nga ekzaminimet ka rezultuar se ka ulje të ënjtjes në tru dhe se tashmë ka nisur zgjimi gradual i tij nga intubimi.
Avokati Mëngjesi u dhunua nga tre persona. Organizatori, Dritan Nano dhe një prej tyre, Dorian Aliu janë vënë në pranga. Ndërkohë vijojnë në kërkim 3 autorët e tjerë, Drivald Aliu, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku (transportuesi).
Për kapjen e tyre është vënë në dispozicion dhe një shpërblim prej 20 mijë Eurosh, ndërsa mësohet se paralelisht ka negociata me familjarët e tyre për t’u vetëdorëzuar.