Turqia nisi bombardimet në zonë me qëllimin për të eliminuar militantët kurdë, të cilët Ankaraja i cilëson terroristë.
Me dhjetëra viktima. Me mijëra të pastrehë.
Dhe rreziku i lirimit nga burgjet të militantëve të ISIS.
Por gazetarët e emisionit investigative “Le Iene” ndodheshin në këtë zonë pikërisht pak ditë para fillimit të sulmeve ushtarake turke.
Ata arritën të futeshin në një nga kampet – burgje ku kurdët mbajnë ish-luftëtarët e ISIS. Në këtë kamp janë gratë e luftëtarëve të ISIS, por dhe shumë fëmijë, shumë prej të cilëve kanë lindur pikërisht këtu.
Gazetari shpjegon se reportazhi në këtë kamp nuk ishte një rastësi, por një mision i vërtetë, për të gjetur një fëmijë shqiptar me emrin Alvin. Një fëmijë, i cili ka lindur në Itali 11 vite më parë.
Alvini është shpallur i zhdukur në vitin 2014, sepse nëna e tij papritur dhe pa lajmëruar njeri vendosi të marrë djalin e saj dhe iu bashkua ISIS.
Që kur ajo iku, babai i fëmijës nuk ka më asnjë lajm për të birin.
“Të shohësh këto fotografi prej pesë vitesh ……Çfarë të ka bërë nëna jote…ishte i vogël shihni si ka qenë “.
Kampi – burg ku kanë hyrë gazetarët italianë përmban 70 mijë persona , 20 mijë gra dhe 49 mijë fëmijë. Dhe një nga këtë fëmijë mund të jetë pikërisht Alvini.
Historia e kërkimit të tij nisi që tri vjet më parë, pikërisht nga emisioni “Le Iene”, kur babai i fëmijës, Berisha apeloi për gjetjen e të birit. Kur në 12 dhjetor të vitit 2014 bashkëshortja e tij vendosi të bëjë gjënë më absurde që mund të mendohet, rrëmbeu fëmijën e saj 6 vjeç dhe u nis në Siri. Deri pak kohë para ndodhisë, familja shqiptare, nëna, babai dhe tre fëmijët jetonin në Itali dhe kishin një jetë shumë normale.
Berisha tregon se papritur gruaja e tij ndryshoi dhe mbulohej për të dalë në rrugë ose nëse dikush vinte në shtëpinë e saj.
Nëpërmjet internetit ajo njihet me dikë që e radikalizon dhe brenda një kohe të shkurtër e bind që të marrë djalin e vogël dhe të niset për në Siri.
Babai i fëmijës kontakton me disa të njohur të tij në Turqi të cilët i premtojnë se do ta ndihmojnë për të gjetur djalin, por në këmbim të parave, 250 mijë euro.
Gazetari italian vendos të shoqërojë Berishën për të parë se cilët janë këta njerëz që pretendojnë se janë pjesë e shërbimeve sekrete turke.
Por ata rezultuan të ishin pa asnjë lidhje me shërbimet sekrete.
Pak muaj më parë papritur Berisha merr një letër nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar. I dërgon një mesazh nga djali i tij Alvin, i cili i shkruan në gjuhën angleze duke i thënë se e ka marrë malli dhe i kërkon që ta marrë pasi do të kthehet në shtëpi.
“Nisa të qaj…shih…po rrëqethem”
Letra e Kryqit të Kuq ndërkombëtar tregon se djali ndodhet në kampin e refugjatëve “Al Hol” në Siri në mes 73 mijë personave. Letra daton në muajin qershor të këtij viti.
Para mbërritjes në kamp gazetari Italian dhe babai tij ndalojnë në një treg pranë për ti blerë veshje 11 vjecarit.
Janë kurdët që i mundësojnë hyrjen në kamp…
Por gratë që ndodhen këtu nuk janë më paqësore se burrat e tyre që ndodhen në burg pasi dhe ato i janë bashkuar ISIS me vetëdije. Vetëm ditën që trupa italiane e xhirimit ndodhej në kamp u ekzekutuan tri gra. Dhe pse pjesa më e madhe e tyre vijnë nga vende muslimane ka dhe nga ato që vijnë nga Belgjika apo Holanda.
Duke pretenduar se janë thjesht shtëpiake dhe viktima lufte, këto gra pranojnë se e kanë të pamundur të dalin nga kampi pasi të tjerët i konsiderojnë si të burgosura..
Më vonë gazetarët mësojnë se nëna e Alvin ka vdekur. Autoritetet kurde thonë se ajo mbeti e vrarë gjatë bombardimeve, për të shkatërruar bastionin e fundit të Isis në këtë zonë. Ajo ndodhej së bashku me bashkëshortin e ri, një xhihadist dhe tre fëmijët e saj…
I vetmi i mbijetuar është Alvin..
“Djali im ka lindur në Itali…tani është atje ka bërë këtë jetë dhe unë nuk e di si jeton. Gratë dhe fëmijët si jetojnë…nuk e di si mbijetojnë me këtë vapë, pa ushqime, pa ujë. Nuk kanë asgjë ecin zbathur mes gurëve…unë nuk e lë më këtu tim bir. Do të jetoj dhe unë këtu me ‘të. Zoti e mallkoftë. O Zot! Nuk mund ta lë këtu. Cfarë të ka bërë nëna jote…Ajo la dy fëmijë në Itali dhe solli djalin këtu..jo ..jo”.
Më në fund Alvin vjen dhe duket qartë se ai çalon…
Djali e ka pak të vështirë të komunikojë pasi e ka harruar totalisht gjuhën italiane. E vetmja mënyrë është nëpërmjet gjuhës shqipe.
Gjatë bombardimeve ku humbi jetën nëna e tij djali është plagosur në këmbë, por ai gjen kurajën për t’i thënë babait të tij se nuk është asgjë.
Tashmë problem është se si të nxjerrin djalin nga kampi, kjo për arsyen se dhe pse Alvin ka lindur në Itali ku aktualisht jetojnë babai i tij dhe dy motrat, dhe babai i tij punon dhe paguan taksat në Itali, djali është me shtetësi shqiptare.
Për këtë arsye fillimisht është marrë një certifikatë e përkohshme nga Shqipëria. Dhe për këtë folëm me ambasadorin shqiptar në Turqi. I cili kishte premtuar se do të bëhej e pamundura që djali të rikthehej në Itali.
Por zëdhënësja kurde bën të qartë se vetëm prania e një të dërguari të qeverisë shqiptare mund të bënte të mundur daljen e Alvin nga kampi.
Është e pamundur që Berisha të marrë djalin e tij me vete dhe as të qëndrojë atje me të, ai detyrohet ta gënjejë duke i thënë se duhet të largohet për të bërë dokumentet gati.
Gazetari shprehet i revoltuar dhe i zhgënjyer me qeverinë shqiptare dhe me ambasadorin shqiptar në Turqi sepse i ishte premtuar ndihmë dhe pse kanë kaluar 10 ditë asgjë nuk ka ndodhur. Madje herën e fundit që gazetari e kontakton ai i mbyll telefonin.