Dëshmitarët okularë kanë përshkruar dinamikën e ekzekutimit mafioz të 32-vjeçarit shqiptar Roan Brahimi që u vra mbrëmjen e së enjtes në Athinë.
Një sipërmarrës, i cili ndodhej në dyqanin e tij pak metra larg vendngjarjes, tregon se dëgjoi fillimisht 3 të shtëna me armë zjarri. Mendoi se ishin fishekzjarre të hedhura nga tifozët e skuadrës së Olimpiakos.
Kur doli nga dyqani, pa një grua që po bërtiste, që mesa duket ishte bashkëshortja e viktimës.
“Dola para dyqanit tim dhe pashë një grua që hapi derën e makinës dhe bërtiste “e hëngrën”, diçka e tillë. Nuk vura re nëse kishte gjak. Pas makinës, 10 metra më tutje, ndodheshin 2 fëmijë të mitur të cilët i larguan”, tregon dëshmitari.
Gruaja që po bërtiste “e hëngrën” i referohej faktit që e vranë.
Një tjetër grua dëshmitare ka treguar për mediat greke se shqiptari u vra në sy të fëmijës së tij të mitur. Djali i viktimës po luante në shesh me vajzën e dëshmitares që rrëfen: “Vajza ime e vogël po luante me djalin e tij. Dëgjuam të shtënat dhe vrapova të shikoja nëse po ndodhte diçka apo ishte lojë. Vogëlushi po qante dhe bërtiste ‘babi im babi im”.
“Dëgjuam të shtënat, menduam se ishin kapsolla. Vrapuam dhe pamë makinën të parkuar në cep. Gruaja e tij bërtiste ‘ndihmë ndihmë’. Ata erdhën për të marrë fëmijën që po luante”, përshkruan skenën një tjetër dëshmitar.
Roan Brahimi 32 vjeç ndodhej në makinë së bashku me gruan kur u ekzekutua për vdekje. Bashkëshortja e tij Katerina Beqo 37 vjeç humbi ndjenjat pas vrasjes. 2 atentatorët kanë qenë me motor.
Ekspertiza greke ka përcaktuar se 32-vjeçari u ekzekutua me 1 plumb në kokë dhe 2 në trup.
Autorët u larguan pa lënë gjurmë, teksa vrasësi konsiderohet si profesionist. Objektiv i tij ishte vetëm Roan Brahimi dhe jo gruaja. Hetuesit do të kqyrin pamjet e kamerave të sigurisë për të analizuar itinerarin e vrasësve, të cilët e kanë ndjekur dhe nga cili drejtim u larguan pas krimit.
Me rëndësi konsiderohet edhe dëshmia e gruas, e cila ka qenë dëshmitare okularë, por për momentin nuk i është marrë për shkak të tronditjes që ka pësuar.
Sipas shtypit grek, Roan Brahimi kishte shkuar në Greqi për festën e Pashkës, pasi vetë ai jetonte në Shqipëri. Ndërsa gruaja dhe djali i mitur banonin në Athinë. Shtëpia e tyre është në lagjen ku ndodhi vrasja.
Viktima Roan Brahimi ka qenë një personazh i lakuar në disa ngjarje të rënda kriminale në qarkun e Lezhës, por jo vetëm.
3 vite më parë ai u shpall në kërkim nga policia pasi dyshohej se së bashku me 2 persona të tjerë, mes të cilëve Ramazan Rrajën dhe Alesio Dobrozin, mësynë të armatosur në ambientet e një lokali në Lezhë.