Shpenzojmë shumë para në “Duty Free”, por pastaj harrojmë në avion ato që blejmë. Së bashku me celularët, qeset me mallrat e blera në dyqanet pa taksa të aeroporteve rezultojnë më të harruarat nga pasagjerët.
Përveç sendeve që mbahen me vete në kabinën e avionit , pasagjerët lenë pas dhe bagazhet.
Disa humbin rrugës, disa lihen qëllimisht… të gjitha vendosen në magazinat e Lost and Found” në aeroporte.
Aeroporti i mban këto bagazhe për 1 vit e gjysmë. Pasi ka hequr prej tyre ushqimet, që në valixhet e shqiptarëve nuk mungojnë pothuajse asnjëherë.
“Disa prej valixheve u janë identifikuar të zotët dhe po presim që të vijnë t’i marrin”, shprehet Bledar Pula, agjent në “Lost and Found”.
Prej pandemisë disa prej valixheve i kanë mbajtur më shumë se 1 vit e gjysmë. Pas kalimit të këtij afati, aeroporti i Rinasit i ka dërguar për bamirësi në shtëpitë e fëmijëve apo dhe institucionet e kultit.
“Për valixhet që janë prej kohësh në magazinë do të bëhet një regjistrim final dhe do i dërgojmë për bamirësi”, thotë agjenti i aeroportit.
Këto këtu janë bagazhet e harruara apo humbura gjatë verës, nga pasagjerë që kanë udhëtuar me linja shqiptare.
Aeroportet pas 5 ditësh tentativa për të kontaktuar më të zotët e tyre, i dërgojnë në zyrat qendrore të kompanive ajrore, në Itali, Austri, Greqi, Gjermani etj.
“Pas 5 ditësh merret kompania me bagazhet dhe klientët e saj”, shprehet Mustafa Bylyku, agjent i “Lost and Found”.
Mbi 97% të rasteve të vonesave apo harresave, të zotët i marrin bagazhet brenda 12-24 orëve, kryesisht me fluturimin e radhës së kompanisë ajrore.
“Ka raste kur nuk nisen fare dhe ia dërgojmë ne në destinacion ose kur i ka humbur shirit identifikues që ngelen këtu”, shton Bylyku.
Aeroportet e mëdha ndërkombëtare aplikojnë si praktikë nxjerrjen e bagazheve të pa tërhequra në ankand, madje dhe krijimin e qendrave të mëdha tregtare me sendet e vendosura Brenda tyre. Herën tjetër që udhëtoni, sigurohuni të vendosni elemente shtesë identifikimi brenda valixhes, në rast se shiriti me emrin tuaj humbet gjatë transportit./Euronews Albania