Sport Baggio rrëfehet mes lotëve: Penalltia e Botërorit ‘94 më lë edhe tani...

Baggio rrëfehet mes lotëve: Penalltia e Botërorit ‘94 më lë edhe tani pa gjumë

Mungesa e grumbullimit në Botërorin e 2002-shit i dhemb akoma, si gjuri i djathtë i masakruar nga 220 qepje të brendshme që e ka kushtëzuar gjatë gjithë karrierës. “Futbolli ma kishte borxh atë Botëror, ndoshta është edhe për këtë jam larguar nga bota e topit“, ka thënë dje me sytë e lagur Roberto Baggio.

Në Festivalin e Sportit të Trento-s, e shtuna ka qenë dita e tij: njerëzit kanë pritur në radhë, kërkesat për një vend kanë qenë katër herë më shumë se kapaciteti i teatrit, duartrokitjet kanë qenë të vazhdueshme, ashtu si koret, lotët dhe emocionet që nuk mund të përmbaheshin për këtë djalosh 52-vjeçar, i cili është adhuruar kudo.

Kjo është konfirmuar edhe njëherë në intervistën e dhënë në “Teatro Sociale”, ku ka dhuruar autografe, ka mallëngjyer të gjithë të pranishmit dhe është mallëngjyer vetë. Gjithçka, para një publiku që vazhdon ta adhurojë akoma sot, pjesë e të cilit ka qenë edhe zëvendëspresidenti i Inter-it, Javier Zanetti, ish-shoku i tij i skuadrës.

Me pak fjalë, Roby i mungon futbollit më shumë sesa futbolli i mungon atij.

USA ’94

“Kam gabuar shumë penallti në karrierën time, por ndoshta ajo ka qenë e vetmja që e kam gjuajtur lart. Ishim në disavantazh me një penallti, por ai gabim i imi ka qenë goditja përfundimtare. E mendoj gjithmonë atë moment para se të fle gjumë. Në fëmijëri ëndërroja për një finale Itali-Brazil dhe ne që fitonim kupën me një gol timin. Nuk e kisha imagjinuar kurrë një epilog si ai në Pasadena”.

ITALIA

“Veshja e asaj fanelle ishte diçka e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme. Do të kisha dhënë gjithçka për atë, veçanërisht pas penalltisë së gabuar në finalen e USA ’94. Kisha një dëshirë të madhe për revansh”.

BOTËRORI 2002

“Në atë kohë u tha se numri i lojtarëve të kombëtareve shkoi nga 22 në 23, sepse FIFA donte që të ishim të pranishëm Ronaldo dhe unë, por Trapattoni më la në shtëpi. Ajo ka qenë një plagë që mund të krahasohet vetëm me penalltinë e Pasadena-s.

Ndoshta mund të duket mendjemadh, por këtë herë nuk më intereson: meritoja të grumbullohesha për atë Botëror. Dikush kishte dyshime për gjendjen time fizike pas operacionit në gju, por unë u ktheva 77 ditë pas ndërhyrjes. Edhe pse nuk do të kisha luajtur, nuk meritoja të qëndroja jashtë. Ishte diçka që futbolli ma kishte borxh. Ndoshta është edhe për këtë arsye që sot jam larguar”.

FUTBOLLI I SOTËM

“Po, do të më pëlqente të luaja në këtë futboll, ka rregulla që më parë nuk ekzistonin. Me murin 9 metra larg kushedi sa gola do të kishin shënuar Platini dhe Zico… Me kartonët e verdhë që jepen sot, nuk do t’i kisha pësuar disa ndërhyrje të caktuara”.

CONTE

“Do të më kishte pëlqyer të punoja me një trajner si Conte. E njoh dhe ka shumë cilësi të rëndësishme. Puna e trajnerit është e përshtatshme për të, sepse ai jeton për futbollin”.

GUARDIOLA

“Marrëdhënia mes nesh ka lindur në Brescia dhe është përforcuar gjatë viteve. Është një lidhje e rëndësishme dhe e thjeshtë, Pep mendon për futbollin 25 orë në ditë. Më ka dhënë shiritin e kapiteni kur u ktheva nga dëmtimi, një gjest që nuk do ta harroj”.