Bota Xi Jinping paralajmëron: Kush përpiqet të përçajë Kinën do të mbetet i...

Xi Jinping paralajmëron: Kush përpiqet të përçajë Kinën do të mbetet i sakatuar

Presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi të dielën se çdo përpjekje për të përçarë Kinën do të asgjësohet. Deklarata e tij vjen në një kohë kur Pekini po përballet me një seri sfidash, mes të cilave protestat disamujore në Hong Kong dhe lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara.

“Kushdo që përpiqet të ndajë Kinën në çdo pjesë të vendit do të mbetet i sakatuar dhe me kockat e thërrmuara”, deklaroi Xi.

Ai theksoi se çdo forcë e huaj që do të mbështesë përpjekje të tilla do të vihet në lojë nga populli kinez dhe do të bëhet qesharake.

Deklaratat e tij Xi i bëri gjatë një vizite në Nepal. Ai është presidenti i parë kinez që viziton këtë vend në 22 vjet dhe të dyja palët pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për shtrirjen e lidhjeve hekurudhore mes vendit të Himalajeve dhe Tibetit.

Kina, që po përpiqet të çtensionojë luftën tregtare me Shtetet e Bashkuara, ka parë autoritetin e saj të vihet në provë nga protestat e dhunshme në Hong Kong. Policia në rajonin autonom ka përdorur plumba gome, gaz lotësjellës dhe mjete të tjera për të shpërndarë protestuesit në ish-koloninë britanike, që është përfshirë nga kriza më e keqe politike në dekada.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të jetë e vështirë të negociohet me Kinën nëse diçka negative u ndodh manifestuesve.