Rekordet kanë qenë të shumta nga futbollistët e Kombëtares Shqiptare në dy takimet e para të Euro2024.
Ai që do të mbetet gjatë në histori është padyshim, goli i Nedim Bajramit.
Mesfushori shënoi në portën e Italisë pas 23 sekondash për t’u bërë lojtari që realizon golin më të shpejtë të kompeticionit.
Arritje që nuk ka kaluar pa vendosur një tjetër rekord.
Fanella me numër 10-të e fantazistit është shitur në ankand për shifrën e 5.792 Eurove. Oferta e parë ishte 90 Euro, por kjo shumë u rrit ndjeshëm deri në atë fituese, e cila mbërriti nga Turqia.
Shifër e lartë edhe për fanellën e Armando Brojës. Titullar ndaj kampionëve në fuqi të Europës ku qëndroi për 77 minuta në fushë, gjithsesi nuk ka kaluar pa u vënë re cilësitë e tij.
Fanella e 23-vjeçarit u shit në ankand për 825 Euro, ku çmimi i parë ishte në shumën e vetëm 89 Eurove.
Një tjetër vlerë i ka dhënë nënshkrimi nga ana e futbollistëve, të shndërruar në yjet e tifozëve të shumtë në stadiumet e Euro2024.