Ish-ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis ka reaguar në lidhje me takimin e kryeministrit Rama me shqiptarët në Athinë. Bakojanis gjatë një prononcimi për median greke, Sky tha se nuk i interesojnë takimet e Ramës me shqiptarët në Greqi, por për të interes kanë situata e minoritarëve grek në Shqipëri.
“E pashë dhe dëgjova se Rama mblodhi 5 mijë shqiptarë. Nuk më intereson çfarë bën zoti Rama me emigrantët. Mua më intereson se çfarë bën ai me Belerin. Rruga europiane e Shqipërisë varet nga respektimi i të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri. Dhe dua t’i them diçka zotit Rama, që e kam diskutuar shumë herë me të. Greqia ka më shumë ndikim politik tek votuesit shqiptarë që janë prezentë në Greqi sesa ka zoti Rama mbi ta dhe kurdo që ta shfrytëzojë këtë ndikim Greqia mund ta bëjë me shumë lehtësi”, është shprehur Bakoyannis në një intervistë për ‘Sky”.
Bakojanis komentoi edhe incidentin diplomatik gjatë betimit të Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Davkova. Sipas Bakojanis, Maqedonia e Veriut është një vend i vogël dhe me ekonomi të dobët dhe se realiteti që ata po përpiqen të krijojnë do të bjerë mbi ta. Ajo foli me tone të ashpra duke kërcënuar me ‘JO-në’ e madhe greke.
“Ne kemi dëshmuar se dimë të mbrojmë interesat kombëtare dhe kur mund të themi “Jo”-në e madhe. Dhe ne e thamë, Jo brenda vendit, jashtë vendit. Populizmi shitet dhe është e lehtë jo vetëm në Greqi, në Ballkan apo dhe në botë. Ne duam të jemi të përgjegjshëm dhe të dobishëm për interesat kombëtare”, vijoi Dora Bakojanis.
Bakojanis ka qenë ministre e Jashtme e Greqisë në vitin 2009, kohë kur u nënshkrua edhe marrëveshja e detit me Shqipërinë, që më pas u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.