Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla shprehet se PD do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se nuk i besonte paralajmërimet për bojkot të zgjedhjeve.
“Nuk besoj kurrë se PD s’do marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Besoj se do t’u bindet votuesve të vet për të marrë pjesë në garën për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive. Kodi ka parashikuar edhe rastin dhe vakancën që krijohet”, tha socialisti.
Ndërkohë PS i është përgjigjur thirrjes urgjente të KQZ-së për dorëzimin e emrave të propozuar për KZAZ-të.
Balla tha se emrat do dorëzohen brenda ditës së sotme.
“Brenda ditës së sotme do të dorëzojmë në KQZ emrat e anëtarëve të propozuar nga PS për KZAZ. Çdo parti politike ka detyrimin për t’iu përgjigjur afatit të depozitimit”.