Kryetarja e Partisë Socialiste per Elbasanim do të jetë deputetja Evis Kushi, duke zëvendësuar Xhevahir Budani.
Vendimi është marrë këtë të shtunë në mbledhjen e Asamblesë Socialiste të Elbasanit, drejtuar nga sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla.
Balla theksoi angazhimet e PS për vitin 2020 duke filluar me pjesën më të rëndësishme të këtij viti, që është rindërtimi i vendit pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.
“Viti 2020 është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë sepse është viti i rindërtimit të dëmeve të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Kjo fatkeqësi ka lënë pas, jo vetëm, dhimbjen e jetëve të humbura, por edhe shumë dëme ku mijëra familje janë pa shtëpi dhe po ashtu shumë institucione të dëmtuara. Në lidhje më këtë situatë, qeveria ka parashikuar, jo vetëm buxhet, por edhe masat për shërimin e plagëve të lëna pas nga tërmeti. Brenda vitit 2020 duhet të kenë përfunduar të gjitha shtëpitë në zonat rurale dhe të jenë ngritur po ashtu të gjitha kantieret e ndërtimit në qytete.”
Sipas Ballës, një luftë e pakompromis do të vijojë ndaj krimit e korrupsionit në çdo hallkë të tij: “Luftën kundër krimit të organizuar do ta intensifikojmë shumë fort në ditët në vijim, për të identifikuar çdo lloj grupimi kriminal apo individi që e ka vënë pasurinë në mënyrë të pandershme. Beteja ndaj KÇK-së nuk përfshin vetëm largimin nga sistemi i drejtësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por edhe identifikimin dhe vënien para ligjit të çdo lloj elementi kriminal.”
Prej disa muajsh Partia Socialiste është në një proces riorganizimi, ripërtëritje dhe përgatitje për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2021. “Mandati i tretë për ne është një konsolidim i gjithçkaje kemi arritur dhe një forcim i mëtejshëm i çdo pune të mirë që është bërë deri tani në Shqipëri”, tha Balla.