Politika Balla: PD, peng i financimit të dyshimtë me burim rus

Balla: PD, peng i financimit të dyshimtë me burim rus

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi sot forcimin e ligjit për financimin e partive politike, pasi sipas tij, “jemi përballë faktit se partia më e madhe opozitare në vend, PD është peng i një financimi të dyshimtë me burim rus prej më shumë se 1 milionë dollarësh”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, Balla u ndal te provat e shfaqura në artikullin e “Mother Jones”, ndërsa theksoi se Lulzim Basha nuk ka më të drejtën morale të flasë në emër të PD-së, por ajo që duhet të ketë mbetur ende brenda PD-së duhet të distancohet nga kjo lidhje e dyshimtë.

“Ish-zv.ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Michael Carpenter dje tha shumë qartë se: “Kur deputetët e opozitës djegin mandatet dhe refuzojnë të jenë pjesë e procesit politik, duke ushqyer përçarje bipolare të politikës, kjo është toka më pjellore, situata më e përkryer që Rusia të përfitojë e të ushqejë më shumë armiqësi, përçarje dhe kaos në shoqëritë e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë”, tha Balla.

Sipas tij, “nuk është e rastësishme që në 16 shkurt dhe në 16 mars zhvillohen protesta në Tiranë, Podgoricë dhe Beograd”. “Po ashtu opozita vendos të organizojë protestë natën, në 13 prill, ashtu siç janë porositur për t’u zhvilluar. Këtu del e rëndësishme përpjekja jonë për të rritur fuqinë e ligjit për financimin e partive politike”, tha Balla.

Balla i drejtoi thirrje Prokurorisë që të vijojë punën me intensitet, sepse ka 1 vit e gjysmë që kur ka filluar hetimi, ndërsa kujtoi se ka dhe një hetim paralel në SHBA dhe Skoci.

Duke komentuar protestat e dhunshme të opozitës, Balla nënvizoi po ashtu rëndësinë e ashpërsimit të Kodit Penal ndaj kujtdo që guxon të godasë Policinë e Shtetit.