Teksa pritet që ditën e sotme Kuvendi të votojë 2 anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla, i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta.
Më herët, kreu bëri thirrje që Kuvendi, dhe pse me vonesë, të votojë për anëtarin e dytë të Kushtetueses e më pas do të jetë radha e Presidencës për emrin tjetër.
Por nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Meta nuk ka “hallin e kohës”, por ka ngulmuar që lista nga KED t’i shkojë me katër emra, pasi sipas tij, emri i katërt është një emër i besuar i Metës, ndërsa shtoi se kërkon që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt.
“Presidenti bën mirë të heqë maskën dhe të flasë troç, nuk ka as hallin e Kushtetutës, as afatin kohor, por ka ngulmuar që lista nga KED t’i shkojë me katër veta, sepse ka parë që e katërta e renditur është një person tek i cili ka besim, sipas tij, ka njohje… O lum miku, do të çojë në Gjykatën Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt. Tani le të dalë ai zotëria dhe të thotë është kështu apo jo. Kjo është troç, lërini dënglat”, deklaroi Balla.
Mëngjesin e sotëm, pak para nisjes së Kuvendit, në një postim në Facebook, Meta u shpreh se Presidenca po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe pas 24 orësh do të shprehet për zgjedhjen e tretë, menjëherë pas zgjedhjes së Kuvendit.
“Tani është radha e Kuvendit të zgjedhë anëtarin e dytë, edhe pse me vonesë! Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij. Ndaj ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë!”, shkruan presidenti i Republikës.