Debati mes dhjetë kandidatëve demokratë për zgjedhjet presidenciale 2020 ka nxjerrë në pah kontradiktat mes forcave liberale dhe të moderuarve të partisë.
Në qendër të kritikave ishin dy nga rivalët kryesorë për karrigen e Shtëpisë së Bardhë, Elisabeth Warren dhe Bernie Sanders.
Dy senatorët u akuzuan nga kolegët se po bëjnë premtime të pamundura dhe po propozojnë plane ekonomike të pabesueshme, të cilat rrezikojnë ta mbajnë presidentin Donald Trump edhe katër vite në pushtet.
“Mendoj se demokratët fitojnë gjithmonë kur japin zgjidhje reale, kur garojmë me ide që janë të zbatueshme, dhe jo me plane ekonomike përrallore”, u shpreh ish-kongresmeni John Delaney, duke denoncuar zotimet e kundërshtarëve për të ofruar falas thuajse çdo shërbim shtetëror, mes tyre edhe shëndetësinë.
Sipas senatores Warren, roli i politikanëve është t’i bëjnë qytetarët të besojnë se mund të arrijnë gjithçka.
“Nuk e kuptoj se pse duhet dikush të garojë për president të SHBA-së vetëm për të folur për gjëra që nuk arrihen dhe që nuk mund t’i luftojmë. Realisht nuk e kuptoj“, u përgjigj politikania veterane.
Ndërkaq, të gjithë kandidatët demokratë hodhën poshtë njëzëri qëndrimet e kreut aktual të Shtëpisë së Bardhë rreth emigracionit, shëndetësisë, apo klimës.
Një tjetër debat me dhjetë kandidatët e mbetur do të organizohet ditën e mërkurë, ku do të jenë të ftuar edhe favoriti Joe Biden dhe demokratja Kamala Harris.