Ministrja Belinda Balluku, pasi mori besimin e Ramës në krye të punëve të infrastrukturës dhe energjisë, ka listuar në parlament prioritetet e dikasterit që ajo drejton. Një nga pikat që preku ishte edhe ajo e “Korridorit Blu”.
Balluku paralajmëroi hapjen e garës për këtë rrugë dhe tha se nuk pritet që të përfundojë brenda mandatit 4-vjeçar.
“Me fillimin e punës në muajt në vazhdim do të hapet gara për këtë “Korridor Blu”, por nuk pritet që të përfundojë brenda këtij mandati, pasi do ketë disa faza duke filluar më të rëndësishmin, nga rrethrrotullimi i Kasharit, i cili bashkohet edhe me By Passin e Tiranës”, tha Balluku.
Më herët, gjatë prezantimit të programit politik qeverisës, Rama premtoi se “Korridori Blu” do të bëhet realitet brenda 5 viteve të ardhshme.
“Brenda katër vitesh mbarojmë tre porte dhe dy aeroporte, Shqipëria bëhet me tre hekurudha”
Balluku ka prezantuar edhe projektet infrastrukturore që pritet të përfundojnë brenda mandatit të tretë të socialistëve. Balluku tha se Porti i Ri i Durrësit, aeroportet e Vlorës dhe Sarandës pritet të përfundojnë brenda katër vitesh.
“Porti i Vlorës do të kthehet në port jahtesh. Porti tregtar zhvendoset në zonën e Triportit. Pas operimeve që kanë nisur në mënyrë normale pa asnjë lloj kufizimi në aeroportin e Kukësit. Brenda nëntorit nisim kantierin për aeroportin e Vlorës. Po bëhet studimi i ambientit dhe menjëherë ngritja e kantierit në zonën e destinuar për t’u bërë ky aeroport që do jetë më i madh. Parashikohet të ketë edhe shërbime për mirëmbajtjen e avionëve dhe transportin e mallrave nga ajri. Kemi hapur garën për aeroportin e Sarandës. Do jetë aeroport turistik sezonal. Na rezulton që do të përpunojë kapacitete të rëndësishme nga muaji prill deri në muajin nëntor për lëvizje charter. Do duhen 24 muaj për ndërtim”.
Ajo u shpreh se Shqipëria do të bëhet me tre linja hekurudhore. Përpos asaj Tiranë-Durrës, qeveria parashikon ndërtimin e linjave Vorë-Hani i Hotit dhe Durrës-Pogradec.
“Kemi arritur të përmbyllim fazën përgatitore të projektit të parë hekurudha Tiranë-Durrës. Kantieri nis në fund të këtij muaj para se të mbarojë shtatori. Jemi në fazë negociatash për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit që do krijojë akses edhe në vende të tjera të Ballkanit. Kjo hekurudhë që prek një pjesë të mirë të të gjithë territorit.
Nuk kemi një paketë për shpronësime. Është vlerësuar, si një projekt me kompleksitet të ulët. Jemi besimplotë që do të dorëzohet brenda këtij mandati. Banka e Investimeve ka marrë përsipër të na mbështesë për segmentin nga Durrësi në Pogradec , por ndërkohë do të nisim me segmentin e parë nga Durrësi në Rrogozhinë”, u shpreh ministrja.