Ekonomi Balluku flet për energjinë: Kursimi, e vetmja mënyrë për të mos aplikuar...

Balluku flet për energjinë: Kursimi, e vetmja mënyrë për të mos aplikuar fashën 800 KW/orë

Zv/kryeministrja Belinda Balluku në një deklaratë për mediat për situatën energjetike në vend, tha se fasha 800 KW/orë për muajt që lamë pas nuk janë aplikuar për shkak të kursimit të energjisë, por edhe kushteve të motit. Megjithatë, duke u ndaluar në muajin nëntor, Balluku tha se në rang vendi është kursyer vetëm 2 përqind energji elektrike. Ndaj apeli i saj ishte për të kursyer sa më shumë, në mënyrë që të mos aplikohet fasha prej 800 KW/orë

“Qytetarët i janë përgjigjur thirrjes për të kursyer energji. Kështu që ne e kemi vlerësuar reagimin tuaj dhe pavarësisht se është vendosur nga ERE dhe të gjitha kompanitë që ofrojnë shërbimin përsa i përket mbulimit me energji, është vendosur pra një fashë, e cila mund të futej në funksion në momentin kur ne mund të kishim vështirësi, një fashë prej 800 KW/orësh nuk është vendosur kurrë dhe nuk është përdorur deri më sot. As për muajin shtator, as tetor, dhe as nëntor. Dhe e gjitha kjo pasi situata herë pas herë është përmirësuar, puna e mirë që ka bërë KESH për të optimizuar kaskadën dhe për të optimizuar edhe blerjen e energjisë ka dhënë rezultat. Megjithatë duhet thënë se kursimi në muajt e parë (shtator, tetor) ka qenë një kursim i konsiderueshëm, i cili me të vërtetë na ka dhënë një dorë për të kaluar të gjithë situatën e vështirë. Në muajin tetor e kemi mbyllur me 7 përqind kursim në rang vendi, ndërkohë në muajin nëntor është mbyllur me vetëm 2 përqind kursim në rang vendit. Unë dua të kërkoj edhe njëherë të gjithë angazhimin tuaj, të çdo qytetari, abonenti, familjari, biznesi të vogël, që qeveria i ofron mburojën sociale energjetike, që të vazhdojmë dhe të kursejmë sepse do të jetë e vetmja mënyrë për të mos aplikuar fashën 800 KW/orë. 2 përqind është një kursim i vogël, i cili nuk na ndihmojmë që të vazhdojmë dhe të mbajmë të njëjtën situatë energjetike dhe të mbrojmë çdo qytetar, familjar, apo abonent”.

Sa i përket institucioneve shtetërore, zv/kryeministrja tha se është bërë e mundur të kursehet 20 përqind energji elektrike, për muajin nëntor duke e kaluar kështu tragetin e vendosur prej 15 përqind.

Balluku theksoi se çelësi i suksesit është kursimi. Ajo tha se është e domosdoshme të kemi një target kombëtar prej 5% të paktën për kursim të energjisë.

“Ne presim në ditët në vazhdim pra gjatë datës 14, 15, 16 dhe 17, ne presim prurje të reja në kaskadën e Drinit të cilat do të shkojnë 1000-1500 metër kub për sekondë në Fierzë dhe Koman përkatësisht. Por megjithatë kursimi është çelësi i suksesit tonë. Së bashku duhet t’i kthehemi edhe njëherë praktikës së mirë që patëm në muajin Shtator dhe Tetor. Është e domosdoshme të kemi një target kombëtar prej 5% të paktën për kursim. Duhet pasur parasysh gjithashtu që planet tona për të ardhmen në energji janë plane të rëndësishme dhe agresive. Ne do të vazhdojmë në Janar dhe Shkurt të fusim në prodhim dy anijet e prodhimit të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në triport. Nga ana tjetër kushtet atmosferike, siç duket, pas datës 17 do të përmirësohen dhe nuk do të kemi reshje. Kështu që duhen marrë masa për të pasur mundësi që qeveria shqiptare të vazhdojë dhe mbrojë çdo qytetarë dhe të mos aplikojë fashën 800 KW/h ashtu siç nuk e ka bërë deri më sot.”