70% e punimeve fizike për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës kanë përfunduar, si dhe 90% e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti me degëzim në aeroportin “Nënë Tereza”. Lajmin e dha zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila inspektoi nga afër ecurinë e punimeve.
Sipas saj, ky projekt është një ndër më të rëndësishmit dhe do të pasohet edhe me projekte të tjera në vijim.
“Është një nga projektet më të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një projekt i nisur prej kohësh me një vonesë të konsiderueshme përsa i përket pjesës së aprovimit të financimit. Megjithatë, të gjitha këto janë kapërcyer dhe sot kemi një kantier me ecuri të kënaqshme. Kemi 70% të volumit të punëve të kryera, ndërkohë që 90% e volumit të veprave të artit të përfunduar. Çfarë është më e rëndësishme që duhet thënë, hekurudha është një nga mjetet e transportit alternativ, një nga mjetet e transportit miqësor me ambientin, por edhe me financat e qytetarit dhe një nga mjetet e transportit që vetë Bashkimi Europian incentivon dhe shtyn përpara për realizimet e tyre. Shqipëria prej kohësh ka nisur një strategji në zhvillimin e rrjetit hekurudhor. Ky është projekti i parë që ne tashmë mezi presim që ta dorëzojmë”, tha Balluku.
Nga stacioni i Tiranës deri në aeroportin “Nënë Tereza”, parashikohet që koha e udhëtimit të jetë 12 minuta, me 3 stacione, ndërkohë që Tiranë-Durrës përllogaritet në 22 minuta, me 8 stacione.
Ajo u ndal edhe tek dy projekte të tjera të rëndësishme, të sektorit hekurudhor, siç është Vorë-Hani i Hotit apo edhe projekti i Korridorit të VIII, projekte të cilat do të jetësohen edhe falë mbështetjes së Bashkimit Europian.