Zv/kryeministrja Belinda Balluku bëri të ditur pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se është kaluar një vendim që do të lejojë konfiskimin e shtesave të ndërtimeve pa leje.
“Nuk do të ketë tolerancë për ndërtuesit që kanë shkelur. Gjithçka e ndërtuar pa leje do të kalojë në përfitim të popullit. Këto ndërtesa, këto kate, këto metra katrorë do të përdoren për të akomoduar familje në nevojë, për nevojat e shtetit, për zyra”.
Zv/kryeministrja sqaroi se VKM në fjalë rregullon procedurat për konfiskimin në interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje me qëllim fitimin. Këtu mori shembull pallatet dhe tha se katet pa leje do të përdoren si fonde për të shpronësuar qytetarët që preken nga projektet publike.
“Në aktet e shumta që janë miratuar sot në Këshillin e Ministrave vlen që të bëhet publik një akt i rëndësishëm, VKM-ja e titulluar për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje me qëllim fitimi. Për të qenë më specifikime sa i përket këtij akti që në ditët në vijim do të ketë edhe komunikime të tjera publike që do ju ndihmojnë për të kuptuar situatën ka të bëjë me të gjitha ato ndërtesa pa leje në Shqipëri ose siç ka një trend në kohët e fundit për ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë nga Bashkitë apo KKT. Kjo kohë ka mbaruar. Ky lloj trendi shumë i zhvilluar kohet e fundit ka një sjellje që pavarësisht se leja është 7 kate i bëjmë dhe 3 kate sipër për t’i legalizuar më pas. Kjo nuk do ndodhë më dhe të gjitha ndërtesat që kanë këtë lloj specifike do konfiskohen për përdorim publik. Do i jepen si kompensim qytetarëve që preken nga projektet publike ose do përdoren si fonde për të shpronësuar qytetarët që preken nga projektet publike”.
Balluku tha se ky ligj ka për qëllim dekurajimin e kompanive ndërtuese që të shkelin ligjin. Po ashtu, ai u shpreh se edhe institucionet shtetërore që i kanë lejuar ato ndërtime do të mbajnë përgjegjësi.
“Për çdo ndërtesë që rezulton që ka shkelur lejen, apo çdo ndërtesë të ndërtuar pa leje do ketë një investigim për institucionet që kanë për detyrë kontrollin e territorit sepse kjo gjë ka ndodhur nën hundën e tyre. Ka një tolerancë nga vetë institucionet për ti lënë këto kompani në abuzim. Ndërkohë një qytetar që rregullon një çati apo ndryshon pllakat e oborrit vihet në mbikëqyrjen e policisë apo KMT”.
Sipas Ballukut, një ndërtues ka 3 mundësi me ligjin e ri.
“Mundësia e parë është parapagesa e metrave katrorë që ka ndërtuar, pra ato që ka ndërtuar jashtë lejes do i blejë vetë ndërtuesi përveç gjobës që ka kryer. Në rastin e dytë, ndërtuesi i dhuron këto metra katrorë. Dhe rasti i tretë është konfiskimi siç e parashikon ligji, ku ndërtuesi do përballet me çështjen penale sipas parashikimit të ligjit”.