Aktualitet Balluku për Qukës-Qafë Plloçë: Mungesa e studimit gjeologjik ka sjellë vonesat në...

Balluku për Qukës-Qafë Plloçë: Mungesa e studimit gjeologjik ka sjellë vonesat në përfundimin e punimeve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i është përgjigjur kërkesës së një grupi të deputetëve të opozitës parlamentare, sa i takon afatit kohor të përfundimit të punimeve për rrugën Qukës-Qafë Plloçë, por edhe pyetjeve lidhur me disa prej akseve rrugore në juglindje të vendit.

Rruga Qukës-Qafë Plloçë lehtëson aksesin drejt zonës juglindore të vendit dhe krijon një mundësi të re komunikimi me shtetet fqinjë ballkanikë, siç janë Greqia dhe Maqedonia e Veriut. Rruga është e ndarë në tre lote, të cilat kanë një ecuri të ndryshme të punimeve.

Ministrja Balluku deklaroi se rrëshqitjet e tokës, të cilat nuk ishin marrë në konsideratë në projektin fillestar për shkak të mungesës së studimit gjeologjik, kanë krijuar vonesa në ecurinë e punimeve, duke shtuar se kjo ka bërë të domosdoshme rishikimin e projektit.

“Punimet duhet të kishin përfunduar në 2018-ën, në dy lotet e para, por sigurisht gjatë implementimit të tyre janë hasur problematika të njohura, të cilat ne fatkeqësisht i kemi trashëguar në të gjitha projektet që janë dizenjuar gjatë viteve 2010-2013 dhe sidomos me problemet e gjeologjisë, që janë prezente në të gjitha këto projekte të trashëguara. Për këto arsye ka pasur disa devijime nga projekti fillestar, duke dizenjuar një projekt të ri, me përmirësimet dhe plotësimet e nevojshme. Ndryshimi i projekti është shoqëruar edhe me efekte financiare”, u shpreh ministrja Balluku.

E njëjta problematikë është evidentuar edhe në lotin 3 të kësaj rruge, ku deri më tani janë realizuar 51% e punimeve. Për këtë lot, në periudhën kur është lidhur kontrata, fondi që u sigurua, ka qenë sa gjysma e shumës që ishte përllogaritur për realizmin e saj.

“Kemi një rrëshqitje permanente të skarpateve. Nga ana e ekspertëve dhe Këshillit Teknik është identifikuar, që duhet një përforcim i këtyre skarpateve, me një kosto prej 24 milionë dollarësh. Për realizmin e lotit 3, me gjithë elementët e tij, nevojiten në total 25 milionë, që nuk janë gjetur në lidhje të kontratës. Pra është gjetur vetëm gjysma e financimit, plus dhe gjithë problematika e shtuar e 24 milionëve për skarpatet, të cilat nuk kanë pasur një studim gjeologjik. Për këtë qëllim, midis kreditorit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë kanë filluar bisedimet për finalizimin e këtij projekti, pasi padyshim Qeveria Shqiptare e cilëson këtë projekt si mjaft të rëndësishëm”, nënvizoi Balluku.

Pyetjes së ngritur nga ana e deputetëve, nëse ka një projekt që lidh aksin turistik Qafë Plloçë-Voskopojë-Vithkuq, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë ju përgjigj se ky aks nuk bën pjesë në inventarin e rrugëve nacionale të Autoritetit Rrugor Shqiptar, por shtoi se përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit është duke u punuar dhe së shpejti do të prezantohet një projekt për këtë aks.