Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë qëndrimit në Poloni në kuadër të Ministerialit të Bashkëpunimit Transatlantik të Energjisë dhe Klimës, zhvilloi një takim me Sekretaren e Departamentit Amerikan të Energjisë, Jennifer Granholm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balluku bën të ditur se diskutoi me Sekretaren Granholm mbi progresin e Shqipërisë në drejtim të reformimit qoftë në sektorin energjetik, ashtu dhe në drejtësi apo për përmirësimin e klimës së biznesit.
Rikonfirmuam angazhimin e ndërsjelltë për bashkëpunim të ngushtë dhe të koordinuar, shkruan Balluku referuar takimit me Sekretaren e Departamentit Amerikan të Energjisë, si dhe shqyrtuam mundësitë për projekte të reja të përbashkëta.
“E nderuar të zhvilloja një takim të gjatë dhe konstruktiv me Sekretaren e Departamentit Amerikan të Energjisë, Jennifer Granholm, ku diskutuam gjerësisht mbi progresin e Shqipërisë në drejtim të reformimit qoftë në sektorin energjetik, ashtu dhe në drejtësi apo për përmirësimin e klimës së biznesit.
Rikonfirmuam angazhimin e ndërsjelltë për bashkëpunim të ngushtë dhe të koordinuar, si dhe shqyrtuam mundësitë për projekte të reja të përbashkëta dhe në sektorë energjetik avantgardë”, nënvizoi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Ministeriali i Bashkëpunimit Transatlantik të Energjisë dhe Klimës (P-TECC) i zhvilluar në Poloni u organizua nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë. Nisma P-TECC u krijua si një mundësi për rritjen e bashkëpunimit midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore për sigurinë e energjisë dhe kalimin në ekonomi të pastra, neutrale ndaj karbonit.