Politika Agron Shehaj reagon për debatin me Bashën: I manipuluar për të më...

Agron Shehaj reagon për debatin me Bashën: I manipuluar për të më denigruar

Deputeti Agron Shehaj, ka reaguar lidhur me debatin në mbledhjen me dyer të mbyllura që ka patur me kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe me të tjerë kolegë demokratë.

Shehaj thotë se zbardhja e debatit që ka qarkulluar sot në media, është e manipuluar dhe është shpërndarë me qëllimin për ta denigruar atë.

Ai jep versionin e tij mbi atë çfarë ka deklaruar në atë mbledhje, ku thotë se i ka shprehur kryetarit Basha se pakënaqësia e mbështetësve të PD-së është e madhe dhe se axhenda e tyre nuk mund të jetë vetëm shpëtimi i karriges së kryetarit.

“Nisur nga zbardhja e manipuluar e debatit, e shpërndarë në media me qëllim për të më denigruar dhe fshehur të vërtetën, ndihem i detyruar të bëj publik qëndrim tim në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Iu drejtova z.Basha duke thënë se pakënaqësia tek mbështetësit e Partisë Demokratike nuk është e vogël, siç e parashtroi ai, por fatkeqësisht ka një përçarje të madhe dhe kurrsesi s’mund të jem dakord me strategjinë ‘t’i marrim me të mirë dhe të presim t’u dalë inati’.

Argumentova se pjesa më e madhe e votuesve të Partisë Demokratike janë kundër drejtuesve të Partisë Demokratike. Në këto kushte, agjenda jonë s’mund të jetë shpëtimi i karriges së kryetarit por e mira e Partisë Demokratike.

Në lidhje me akuzat e pavërteta dhe absurde, për qëllim servilizmi dhe fshehjen e problemit, nuk meritojnë asnjë koment”, shkruan Shehaj.