Shqipëria do t’i japë Kosovës një depozitë nga energjia e Shqipërisë për festat e fundvitit. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi vendimin dhe tha se kjo depozitë nuk do të ketë efekt financiar mbi qeverinë e Kosovës dhe do të kërkohet që t’i kthehet Shqipërisë gjatë periudhës së verës.
“Kryeministri Rama ka lënë një porosi të veçantë gjatë ditës së sotme përsa i përket përballimit të krizës energjetike në Kosovë gjatë datës Dhjetor dhe 1 Janar. Këtu në MIE kemi angazhuar të gjitha burimet njerëzore për të gjetur një zgjidhje dhe për të furnizuar Kosovën në këto ditë kaq të rëndësishme. Kështu që pas një dakordësie që kemi pasur me drejtuesit e KEK kemi arritur që të sigurojmë 3600 megavat/orë për datën 31 Dhjetor dhe 4080 megavat/orë për datën 1 Janar. Në total 7680 megavat/orë të cilat do të jepen në formën e depozitimit. Pra pa asnjë efekt financiar në Republikën e Kosovës duke kërkuar që t’i kthehen Republikës së Shqipërisë gjatë sezonit veror kur kushtet tona hidrike fillojnë dhe bëhen të vështira. Kjo depozitë do kërkojmë të na rikthehet gjatë stinës së verës”, tha Balluku.
Ministrja tha se sa i përket Shqipërisë, shërbimi do të jetë i pandërprerë në të gjithë Shqipërinë. Po ashtu ajo u shpreh se në vijim do të flitet më gjerë për situatën e krizës energjetike dhe se qeveria shqiptare po analizon e po merr masat e duhura.
“Në ditët në vijim do të kemi mundësi që të flasim më gjerë edhe për abonentët të cilët janë të lidhur në rrjetin e tensionit të mesëm pasi ka një kuadër ligjor që i detyron të dalin në tregun e lirë. Por në këto kushte qeveria shqiptare po analizon dhe po merr masat e duhura edhe për këtë target grup”, tha Balluku.