Aktualitet Balluku zbulon shtetet ku do të kryhen fluturimet e riatdhesimit javën e...

Balluku zbulon shtetet ku do të kryhen fluturimet e riatdhesimit javën e ardhshme

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka zbuluar shtetet ku do të kryhen fluturimet e tjera të riatdhesimit javën e ardhshme.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Balluku deklaroi se harta është zgjeruar në Spanjë, Rumani dhe Vienë.

Në këto shtete ka pasur kërkesa nga qytetarë shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar për shkak të mbylljes së kufijve.

“Parisi është destinacion i cili i ka të gjitha vendet e ezauruara. Londra po përgatitet për fluturimin e dytë pasi fluturimi i parë është përfunduar. Harta është zgjeruar, duke ju referuar kërkesave kemi identifikuar që Madridi është një tjetër destinacion që do të kryhet gjatë javës së ardhshme. Është futur Bukureshti. Kërkesa ka qenë e madhe dhe ambasadori ynë atje na ka kontaktuar dhe kemi rënë dakord që do kryhet një fluturim. Si dhe Vjena, pasi është leja e marrë tashmë dhe janë kryer të gjitha formalitetet. Do të kryhet më datë 27, ditë e hënë”, u shpreh ministrja Belinda Balluku.

Balluku deklaroi se deri më tani Shqipëria ka riatdhesuar 1132 shqiptarë që kishin mbetur në vend të ndryshme të Europës.

Sipas ministres së Infrastrukturës, riatdhesimet do të vijojnë edhe ditët e tjera. Balluku konfirmoi se deri më datë 26 Prill do të riatdhesohen edhe 660 qytetarë të tjerë.

“814 janë kthyer me 7 fluturimet. Edhe nga Shqipëria kemi transportuar, riatdhesuar si shqiptarë dhe të huaj në destinacione të tjera, në total 1132. Ne dimë aq numra sa kemi të deklaruar. Deri më datë 26 ne do kemi dhe 660 të tjerë qytetarë të tjerë që të kthehen duke e çuar numrin në rreth 1500 qytetarë”, u shpreh ministrja Balluku.