Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore, Patrizio Pagano thotë se efektet e tërmetit do të kenë ndikim në ekonominë e vendit në aspektin afatshkurtër. Ndërsa ende pritet një vlerësim i dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, zoti Pagano thotë se Banka Botërore është gati të bëjë një livrim të shpejtë të dy huave që kapin një vlerë prej 100 milionë dollarësh dhe që do të përdoren sipas prioriteteve të qeverisë. Kolegia Rudina Dervishi bisedoi me zotin Patrizio Pagano në ambjentet e Bankës Botërore.
Zëri i Amerikës: Pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Shqipërinë, Banka Botërore së bashku me BE dhe KB po ndihmojnë në vlerësimin e dëmeve. Keni ende ndonjë shifër? Kur e presim raportin?
Patrizio Pagano: Së pari më lejoni t’u shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave, dhe gjithë atyre që janë ndikuar nga ky tërmet shkatërrimtar. Banka Botërore është aty për të ndihmuar së bashku me organizata të tjera, siç e përmendët me OKB-në dhe Bashkimin Evropian dhe ndërsa po flasim ata po punojnë për të vlerësuar kostot e rindërtimit. Nuk kemi ende një shifër por e presim këtë shumë shpejt. Por ky është vetëm hapi i parë para se të fillojmë të punojmë drejtpërdrejt në terren.
Zëri i Amerikës: Përveç vlerësimit dhe llogaritjeve të dëmit, si po e ndihmon Banka Botërore qeverinë shqiptare për t’u mëkëmbur nga kjo situatë?
Patrizio Pagano: Normalisht në raste si këto, si përshembull uragani i fundit në Barbados apo pak vite më parë tërmeti në Haiti, Banka Botërore dërgon një ekip të përgjigjes së menjëhershme që kontakton qeverinë lokale, së pari siç thamë për të vlerësuar ndikimin nga katastrofa, dhe së dyti për ta fokusuar portofolin ekzistues për një përgjigje të shpejtë. Më pas Banka përgatit nisma të tjera për të shënjestruar ato fusha ku është më e rëndësishme ndihma. Në rastin e Shqipërisë, ka një portofol ekzistues projektesh që nuk janë livruar ende e që mund të ripërshtaten për të zgjidhur disa nga problemet. Më e rëndësishmja, ka dy hua të politikave të zhvillimit, një prej të cilave sapo është miratuar nga bordi dhe tjetra është ende duke u përgatitur, që do të jenë gati për t’u livruar shumë shpejt. Këto hua janë instrumente në mbështetje të buxhetit të qeverisë në përgjithësi dhe vlera e tyre shkon në gati 100 milionë dollarë. Këto janë fondet më të gatshme që mund të dislokohen sapo të kemi një shifër të vlerësimit të dëmeve dhe në bashkëpunim me qeverinë do të vendosen përparësitë.
Zëri i Amerikës: A po jepni ndonjë rekomandim specifik për sa i përket shkurtimit të shpenzimeve, stimujve tatimorë ose largimit nga projekte të shtrenjta që ka ndërmarrë qeveria?
Patrizio Pagano: Këto janë vendime që i takojnë qeverisë shqiptare dhe Banka Botërore nuk ndërhyn në këto vendime. Banka është aty për ta ndihmuar qeverinë në çfarëdo vendimi që merr. Sigurisht që ne kemi një limit të fondeve që mund të japim në situata të tilla, por Banka nuk jep rekomandime se çfarë duhet të bëjë konkretisht qeveria.
Zëri i Amerikës: Çfarë pasojash do të ketë ky tërmet në ekonominë shqiptare? Dimë që borxhi publik është shumë i lartë, dhe rritja ekonomike nuk ka qenë e mirë.
Patrizio Pagano: Zakonisht në situata të tilla, Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin kur ndodh ngjarja, do të jetë dramatikisht e ulët për arsye të uljes së prodhimit. Pra për vitin 2019 ekonomia do të ketë pasoja nga kjo ngjarje dhe ka të ngjarë që kjo të përçohet edhe në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Normalisht pas disa tremujorësh, fillon rindërtimi dhe ekonomia mëkëmbet. Në përgjithësi nuk do të parashikoja ndonjë efekt të madh pasi kjo nuk do të ndikojë ndoshta në tendencën që ka vendi. Unë e shoh këtë ngjarje edhe si një mundësi pasi me rindërtimin, ndërtesat e reja do të jenë më të qëndrueshme dhe do të ketë një ekonomi më të qëndrueshme në të ardhmen. Është e vështirë të thuash se kur do të ndodhë mëkëmbja, pasi nuk kemi akoma vlerësimin e dëmeve. Dhe Shqipëria nuk është i vetmi vend që vuan pasoja të tilla. Në aspektin afatshkurtër do të ketë pasoja por nuk pres që ato të jenë aty në aspektin afatgjatë. Nëse rindërtimi bëhet me shpejtësi ndoshta nuk do të ketë efekte.
Zëri i Amerikës: Zyra juaj po bën një fushatë për grumbullim fondesh për tërmetin. Nëse mund të na thoni diçka më shumë?
Patrizio Pagano: Po. Një ditë pas tërmetit, zyra ime filloi të punojë me sekretariatin e Bankës, veçanërisht me komunitetin e punonjësve shqiptarë të Bankës Botërore për të grumbulluar fonde për një synim specifik. Po shfrytëzojmë fushatën vjetore të grumbullimit të fondeve që ndodh në këtë kohë të vitit në Bankën Botërore për organizata jofitimprurëse ku mund të kontribuojnë punonjësit tanë. Me ndihmën e punonjësve shqiptarë këtu në Bankë, kemi diskutuar me qeverinë përmes ministrisë së Financave dhe zbuluam disa OJQ që po operojnë në terren. Ne zgjodhëm UNICEF-in që po bën disa projekte specifike për fëmijët e prekur nga tërmeti, që kanë humbur pjesëtarë të familjes apo janë të traumatizuar. Pra ne po grumbullojmë fonde në këtë fushatë që do të vazhdojë deri më 19 dhjetor dhe komuniteti i punonjësve të Bankës është mjaft aktiv jo vetëm për kontributin vetë në këtë fushatë por edhe në ndërgjegjësimin e punonjësve të tjerë për të kontribuar. Fondet e grumbulluara nga kjo fushatë do të dyfishohen nga Banka Botërore dhe do t’i kalojnë UNICEF-it për të zbatuar këtë projekt.