Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e fundit të miratojë shtypjen e kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor të prerjes 10,000 Lekë, në përputhje me përcaktimet konfigurimin e miratuar tashmë.
Kartëmonedha e re e cila është ka vlerën më të madhe të emëtuar deri më tani do të shërbeje si mjet pagese vetëm në vitin 2020.
Banka e Shqipërisë njoftoi se do të vazhdojë të analizojë strukturën e parasë në qarkullim dhe elementet teknike të dizenjos së kartëmonedhave shqiptare, kryesisht në aspektin e sigurisë. Këto analiza kanë rezultuar në nevojën që ekonomia ka për emetimin e prerjes 10.000 lekë.
Në fund të vitit 2017 Banka e Shqipërisë pati miratuar tematikën që do të pasqyrohet në kartëmonedhën shqiptare me kurs ligjor me vlerë 10000 lekë. Kjo kartëmonedhë do të pasqyrojë figurën e poetit të njohur shqiptar, Asdrenit, kombinuar me simbolet figurative të “Flamurit Kombëtar”, si dhe një varg të zgjedhur nga “Himni Kombëtar”, që njihet edhe si HIMNI i FLAMURIT “Rreth flamurit të përbashkuar/me një dëshir’ e një qëllim”. Krahas kësaj, u miratuan tekstet shoqëruese që lidhen me emrin e bankës, vlerën nominale, si dhe u miratuan përmasat e kartëmonedhës.
Mbajtja e cilësisë së kartëmonedhave në nivele të kënaqshme do të realizohet nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të proceseve të automatizuara të përpunimit, paketimit dhe shkatërrimit të kartëmonedhave në Qendrën e Cash-it. Në këtë kuadër, synohet zëvendësimi i sistemeve të vjetra të përpunimit me sisteme bashkëkohore të përdorura në bankat qendrore evropiane, si dhe zëvendësimi i sistemit aktual informatik të administrimit të cash-it me një program të ri bashkëkohor.
Banka e Shqipërisë do të rrisë aftësinë e saj në fushën e parandalimit dhe mbrojtjes së monedhave nga falsifikimi. Me përmirësimin e kapaciteteve teknike synohet rritja e kapaciteteve administrative të Qendrës Kombëtare të Analizës. Gjithashtu, do të punohet për rritjen e bashkëpunimit në fushën e falsifikimit, duke formalizuar marrëveshje me autoritetet kombëtare dhe evropiane për këtë qëllim. Në të njëjtën kohë do të punohet për plotësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ sipas kërkesave të legjislacionit të Bashkimit Evropian.
Banka e Shqipërisë do të forcojë praktikat e kontrollit dhe masat e mbrojtjes fizike që garantojnë sigurinë dhe pacenueshmërinë e vlerave monetare që ajo administron, në funksion të emisionit dhe thesarit, në përputhje me praktikat më të mira të fushës. Kjo do të realizohet përmes rishikimit – sa herë që është e nevojshme – të rregullave dhe procedurave të administrimit të vlerave, me qëllim përsosjen e tyre dhe sigurimin e standardeve të cilësisë së parasë në qarkullim, si dhe përmirësimin e mjediseve të depozitimit dhe ruajtjes së tyre./monitor