Bankat qendrore po grumbullojnë arin me ritmin më të shpejtë që nga viti 1967, me analistët që kanë konsideruar Kinën dhe Rusinë si disa ndër blerësit më të mëdhenj, duke treguar kështu se disa vende janë të prirura të diversifikojnë rezervat e tyre duke mos u bazuar më te dollari.
Të dhënat e përpiluara nga Këshilli Botëror i Arit, një grup i financuar nga industria, kanë treguar se kërkesa për metalin e çmuar ka tejkaluar çdo sasi vjetore në 55 vitet e fundit. Vlerësimet për muajin e kaluar janë gjithashtu shumë më të mëdha se shifrat zyrtare të raportuara nga bankat qendrore, duke nxitur kështu spekulime në këtë industri lidhur me identitetin e blerësve dhe motivet e tyre.
Përqendrimi i bankave qendrore tek ari “do të sugjeronte se sfondi gjeopolitik është ai i mosbesimit, i dyshimit dhe i pasigurisë” pasi SHBA dhe aleatët e saj ngrinë rezervat e Rusisë në dollarë, tha Adrian Ash, kreu i studimeve në BullionVault, një treg i këmbimit të arit.
Hera e fundit kur niveli i blerjes së arit ishte kaq i lartë shënoi një pikë kthese historike për sistemin monetar global. Në vitin 1967, bankat qendrore europiane blenë sasi tepër të mëdha të arit nga SHBA, duke sjellë ndryshimin e shpeshtë të çmimit dhe kolapsin e rezervave të London Gold Pool. Kjo ngarje përshpejtoi rënien përfundimtare të Sistemit Bretton Woods, i cili e lidhte vlerën e dollarit amerikan me këtë metal të çmuar.
Muajin e kaluar, WCG vlerësoi se institucionet zyrtare financiare të botës kanë blerë 673 ton ar. Dhe, vetëm në tremujorin e tretë, bankat qendrore blenë pothuajse 400 ton ar, sasia më e madhe në një tremujor që nga fillimi i regjistrimit të këtyre shifrave në vitin 2000.
Vlerësimet konservatore nga WGC tejkalojnë blerjet e raportuara për FMN-në dhe nga bankat qendrore individuale, të cila qëndrojnë në nivelin 333 ton për nëntë muajt deri në shtator.
Zyrtarisht, blerjet e arit në tremujorin e tretë janë kryesuar nga Turqia me 31 tonë, duke bërë kështu që ari të përbëjë rreth 29 për qind të totalit të rezervave të saj. Uzbekistani pason Turqinë me 26 tonë, ndërsa në muajin korrik, Katari bëri blerjen e tij më të madhe mujore që nga viti 1967.
Mospërputhja midis vlerësimeve të WGC dhe shifrave të raportuara zyrtarisht, të gjurmuara nga FMN-ja, mund të shpjegohet pjesërisht nga agjencitë qeveritare, duke përjashtuar bankat qendrore në Rusi, Kinë dhe vende të tjera të cilat mund të blejnë dhe të ruajnë sasi të arit pa i raportuar ato si rezerva./ Financial Times