Lionel Messi u shfaq në versionin e tij më të mirë në ndeshjen ndaj Alavesit, në “Cam Nou” (5-1). Ylli argjentinas realizoi dygolësh si dhe asistoi Trincaon për golin e 3-1. Përtej fitores, në aspektin personal kjo sfidë shënoi një tjetër arritje për 33-vjeçarin: barazoi rekordin e legjendës Xavi Hernandez (aktualisht trajner i Al-Sadd në Katar) me plot 505 ndeshje me fanellën “blaugrana” në La Liga.
Së shpejti do të thyejë rekordin e Xavit sa i përket numrit të ndeshjeve në total. Ish-mesfushori, kur u tërhoq nga Barcelona, kishte zhvilluar 767 takime, ndërsa Messi kundër Alavesit luajti takimin numër 759.
Kapiteni aktual i Barcelonës është lojtari me më shumë gola (651) dhe më shumë fitore (530) me “blaugranat”. Messi hyn në histori duke përmirësuar rekordet e Xavit: Do të këtë së shpejti më shumë ndeshje të luajtura me fanellën e Barcelonës, por ai tashmë e ka lënë pas ish-mesfushorin me 51 fitore më shumë (ka 24 barazime më pak dhe sigurisht 28 humbje më pak). Sa u përket golave të shënuar, diferenca është e madhe: 399 gola më shumë se Xavi. Messi gjithashtu ka më shumë minuta në fushë se Xavi (+1544), ka luajtur më shumë ndeshje si titullar (+5) dhe i ka mbyllur të plota ndeshjet në më shumë raste (+69).
Messi i është bashkuar ekipit të parë në moshë më të re se Xavi. Debutoi në La Liga në radhët e Barcelonës kur ishte 17 vjeç, tre muaj dhe 21 ditë, në Espanyol-FC Barcelona (0-1), ndërsa Xavi në debutim ishte 18 vjeç, 8 muaj dhe 7 ditë, në Valencia-FC Barcelona (1- 3).
Me 505 ndeshje në La Liga, Messi tashmë në top-10. Rekordmeni mbetet Andoni Zubizarreta me 622 ndeshje, i ndjekur nga Joaquín Sánchez 567. Më pas vijnë Raúl González (550), Eusebio Sacristán (543), Paco Buyo (542), Manolo Sanchis (523), Iker Casillas (510) dhe Sergio Ramos (506).