Koronavirusi po e revolucionarizon botën, edhe atë të futbollit. Në këtë situatë, Barcelona po përgatitet për një vendim historik: të ndryshojë emrin e stadiumit mitik “Camp Nou” për të mbledhur fonde për të luftuar pandeminë.
“Duam të japim një mesazh universal. Për herë të parë në histori, dikush do të ketë mundësinë të vendosë emrin e vet në stadiumin “Camp Nou” dhe të ardhurat do të shkojnë për gjithë komunitetin”.
Kjo është deklarata e zëvendëspresidentit të Barcelonës, Jordi Cardoner, i cili ka komentuar vendimin e këshillit drejtues të klubit katalanas për të shitur të drejtën e emrit të stadiumit, që sezonin e ardhshëm nuk do të quhet më “Camp Nou”, por do të ketë emrin e një sponsori. Siç ka bërë me dije drejtuesi i Barcelonës, shifra e shitjes së emrit të stadiumit do të shkojë për luftën kundër koronavirusit në Katalonjë dhe në gjithë botën.
Me një njoftim zyrtar, klubi katalanas shpjegon: “Klubi do të dhurojë gjithë kuotën që do të mblidhet duke shitur emrin e impiantit për të luftuar pandeminë globale. Këshilli drejtues ka marrë një vendim që nuk ka karakter përjashtues. Mbarë bota sot ka nevojë për humanizëm në këtë moment. Të gjithë duhet të japim më të mirën për të ndihmuar në përballimin e kësaj pandemie që ka paralizuar planetin”.